Presidenti amerikan, Donald Trump tha se nuk ka rëndësi për atë personalisht nëse do të arrijnë apo jo marrëveshje me Iranin, në bisedimet që po zvilohen në Islamabad, përcjell TV21. Trump tha se Irani është mposhtur dhe se SHBA-të kanë shënuar fitore, ndërsa siguroi që Ngushtica e Hormuzit do të hapet.
“Me siguri kanë disa mina në ujë. Kemi minapastrues atje. Po pastrojmë Ngushticën. Përveç kësaj, po negociojmë. Nuk ka rëndësi për mua nëse bëjmë një marrëveshje apo jo. Arsyeja është sepse kemi fituar. Mendojeni, e kemi mposhtu Marinën e tyre, e mposhtëm forcën e tyre ajrore, forcën e tyre kundërajrore. E mposhtëm radarët e tyre, udhëheqësit e tyre. Udhëheqësit e tyre janë të gjithë të vdekur. E tani, e gjitha që bëjmë është, do ta hapim Ngushticën e Hormuzit, edhe pse nuk e përdorim. Sepse kemi shumë vende në botë që e përdorin, të cilat janë ose të frikësuara, ose të dobëta, ose të lira, nuk e di se çfarë është, por nuk na ndihmoi NATO, këtë mund t’ua them”, tha mes tjerash Trump.
