
Këshilli Shqiptaro-Amerikan për Marrëdhënie (AARC) njoftoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është zotuar të punojë drejtpërdrejt me studentët e juridikut për të gjetur zgjidhje lidhur me kërkesën e tyre që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA.
Sipas njoftimit të AARC-së, përfaqësues të këtij këshilli zhvilluan një takim të dielën në mëngjes me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ku në qendër të bisedës ishte pikërisht çështja e mundësimit të dhënies së provimit të jurisprudencës për studentët shqiptarë në gjuhën e tyre amtare.
Në takim, palët diskutuan edhe çështjen më të gjerë të përdorimit dhe mbështetjes institucionale të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar atë si një temë kyçe për barazinë, mundësitë e barabarta dhe stabilitetin afatgjatë të vendit.
AARC thekson se gjatë bisedës është arritur pajtim që këto sfida të trajtohen në mënyrë konstruktive dhe me vizion përpara, ndërsa është mirëpritur zotimi i Qeverisë për t’u angazhuar në dialog të drejtpërdrejtë me studentët e juridikut.
Po ashtu, sipas njoftimit, të dyja palët janë dakorduar të bashkëpunojnë për të identifikuar dhe zbatuar zgjidhje të qëndrueshme jo vetëm për këtë problem, por edhe për çështje të tjera që lidhen me përfshirjen dhe kohezionin demokratik në vend.
Në reagimin e tij, AARC vlerëson se ky është një hap i rëndësishëm drejt avancimit të të drejtave gjuhësore dhe forcimit të barazisë institucionale për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. (koha.mk)
