Gazetare: Ajnur Bafqari

Pas dështimit të bisedimeve për t’i dhënë fund luftës mes Iranit me SHBA-të dhe Izraelin, në horizont paraqitet paralajmërimi për një bllokadë të re që ua pamundëson anijeve hyrjen dhe daljen prej porteve iraniane. Presidenti amerikan, Donald Tramp e ka konfirmuar këtë.

“Shtetet e Bashkuara do të bllokojnë anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane më 13 prill në orën 10:00 sipas kohës lindore“, deklaroi Donald Trump, President i SHBA-së.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Iranit, nga ku theksojnë se asnjë port në rajon nuk do të jetë i sigurt, nëse kërcënohen portet e tij.

“Ai po shpreh dëshirat e tij, ëndrrat dhe kërkesat e tij që nuk janë realizuar kurrë dhe, me vullnetin e Zotit, nuk do të realizohen. Deklaratat që ai filloi të bëjë vetëm disa orë pas bisedimeve, duke thënë ‘do të bëj këtë’ dhe ‘do të bëj atë’ në Detin e Omanit dhe në ujërat e largëta të Oqeanit Indian, janë pjesë e kësaj. Është e natyrshme që një president i mundur të flasë në këtë mënyrë”, deklaroi Ebrahim Azizi, kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Parlamentit.

Derisa po përgatitet të hyjë në fuqi bllokada, anijet kanë ndaluar lëvizjen përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa çmimet e naftës rifilluan rritjen.  Komanda Qendrore e SHBA-së më vonë sqaroi se bllokada do të përfshijë të gjitha anijet që hyjnë ose dalin nga portet dhe zonat bregdetare iraniane, dhe se do të lejojë ende anijet që udhëtojnë midis porteve jo-iraniane të kalojnë nëpër ngushticë, një hap më i butë krahasuar me kërcënimin e mëparshëm të presidentit për të bllokuar të gjithë Ngushticën. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë paralajmëruar një konferencë me partnerë, të gatshëm për të kontribuar në një mision paqësor shumëkombësh, për të ndihmuar në rikthimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit./Alsat.mk.

The post Tensione të reja mes SHBA-së dhe Iranit appeared first on Alsat.