Maqedonia duhet të ecë drejt ndryshimeve kushtetuese dhe për arritjen e këtij qëllimi këtë partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe VLEN janë në biseda të vazhdueshme, tha deputeti i VLEN-it, Rijad Shaqiri në emisionin e sotëm DailyClick. Ai mendon se VMRO-DPMNE tashmë ka dhënë sinjal se ndryshimet kushtetuese do të bëhen, ndonëse kushti është “me prapaveprim”.

“Mendoj se me vetë faktin që VMRO ka dhënë një “pass” në këtë drejtim se janë të gatshëm të bëjnë ndryshimet kushtetuese, por me kusht që kur të nisim bisedimet të hyjnë në funksion, lë hapësirë që d.m.th. mund të diskutohet dhe negociohet dhe të arrihet te një marrëveshja. Sido që të jetë kjo është çështje e kohës të cilën duhet ta diskutojmë sërish”, tha Rijad Shaqiri – deputet i VLEN.

Humbja e shansit kësaj here për të nisur negociatat, siç bëri dje Shqipëria, edhe sot u përdor mes partive për akuza. BDI gishtin e drejton nga VLEN-i, që bashkëqeveris me VMRO-DPMNE-në.

“Këto humbës të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, me nënshkrimin e tyre, u zotuan që nuk do të bëhen pjesë e asnjë qeverie e cila nuk do ta ndryshojë kushtetutën dhe zhbllokojë rrugën europiane. Sot, jemi dëshmitarë të bllokimit të rrugës eurointegruese, pa ofertë të qartë se kur kjo rrugë do të zhbllokohet”, u shpreh Faton Ahmeti nga BDI.

Nga partia në pushtet VMRO-DPMNE thonë se janë pikërisht BDI dhe LSD që bllokuan vendin në rrugën drejt BE-së dhe që si pasojë e datave të rreme të dhëna nga qeverisja e kaluar, sot Maqedonia vetëm po shkon prapa dhe ka frenime të reja.

“Partia që tha se i mbylli të gjitha çështjet me fqinjët, papritmas krijoi atë më të madhen. LDS qëllimisht e bllokoi Maqedoninë, edhe pse u paralajmëruan të mos e bëjnë këtë. LDS-ja dhe BDI-ja i pranuan pa konsensus obligimet që tani janë pengesë dhe nga e para duhen kapërcyer”, deklaroi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.

Dje Shqipëria i hapi kapitujt e negociatave me BE-në. Në konferencën e dytë ndërqeveritare, kryeministri shqiptar Rama shprehu keqardhje për, siç tha, Maqedoninë e Veriut vëllazërore dhe poshtërimet që po i ndodhin vendit në rrugën drejt BE-së.