Qeveria ka marrë vendim për kufizimin e marzhave të çmimeve të plehrave artificiale, pasi është konstatuar se disa shitore realizonin fitime nga 15% deri në 70%, varësisht nga lloji i plehut. Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, deklaroi se në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar vendimi për kufizimin e marzhave, me qëllim parandalimin e rritjes së çmimeve dhe mbështetjen e prodhimit bujqësor vendor. Vendimi do të jetë në fuqi deri më 31 maj të këtij viti. Vendimi ka të bëjë për të gjithë personat juridikë dhe fizikë të regjistruar për prodhim dhe tregti me shumicë dhe pakicë, të cilët prodhojnë dhe shesin plehra inorganike, organike dhe organominerale, si dhe biostimulues dhe përmirësues të vetive të tokës.

“Marzha maksimale bruto e fitimit për plehrat inorganike, sipas këtij vendimi, për të gjitha shoqëritë tregtare dhe tregtarët individualë që marrin pjesë në zinxhirin tregtar, përcaktohet deri në 5% në tregtinë me shumicë dhe deri në 5% në tregtinë me pakicë. Ndërsa marzha maksimale bruto e fitimit për plehrat organike, organominerale dhe biostimuluesit, sipas këtij vendimi, në tregtinë me shumicë do të jetë deri në 10%, ndërsa në tregtinë me pakicë po ashtu deri në 10%. Gjithashtu, vendoset obligimi për vazhdimësi në furnizimin e tregut me plehra artificiale: tregtarët me pakicë janë të detyruar që çdo muaj të shesin deri në 70% të sasisë mesatare që kanë furnizuar gjatë vitit 2026, ndërsa tregtarët me shumicë obligohen të furnizojnë tregtarët me pakicë me të paktën 70% të sasisë mesatare të shitur,” deklaroi Cvetan Tripunovski, ministër i Bujqësisë. /Alsat.mk

The post Bujqësi, kufizohen marzhet e çmimeve të plehrave artificiale appeared first on Alsat.