Një mbikëqyrje e jashtëzakonshme nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka nxjerrë në dritë parregullsi të shumta në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit “Shën Kirilli dhe Metodi” në Shkup. Inspektimi, i iniciuar nga vetë dekani i këtij fakulteti, ka konfirmuar se një grup studentësh ishin regjistruar në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve pa plotësuar kushtet ligjore. Sipas raportit të Inspektoratit, studentët e përfshirë në këtë rast kishin përfunduar studime profesionale me 180 kredi, të cilat i kishin kombinuar me 60 kredi nga studimet specialistike. Ky kombinim bie ndesh me ligjin dhe rregulloret në fuqi, të cilat kërkojnë që për pranim në ciklet e larta, kandidatët duhet të kenë të përfunduar ciklin e parë akademik me të paktën 240 kredi. Si rrjedhojë e këtyre gjetjeve janë marrë vendime për shfuqizimin e menjëhershëm të regjistrimit dhe të statusit të fituar për 7 studentë. Fakultetit i është dorëzuar një procesverbal me detyra dhe afate konkrete për eliminimin e lëshimeve. Sipas Inspektoratit, pas skadimit të afateve, do të realizohet një kontroll i dytë për të vërtetuar zbatimin e masave./Alsat.mk.
The post Inspektorati Shtetëror i Arsimit konstatoi parregullsi në Fakultetin Filozofik të UKIM në Shkup appeared first on Alsat.
