E ardhmja e Nedim Bajramit te Rejnxhërs duket drejt fundit, pasi trajneri Dani Rohl ka vendosur që mesfushori ofensiv të mos jetë pjesë e planeve për sezonin e ardhshëm.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur për mediat angleze se tekniku gjerman synon të reduktojë skuadrën dhe të krijojë hapësira për afrime të reja, ndërsa Bajrami është ndër emrat që pritet të largohet. Që prej marrjes së drejtimit të skuadrës në tetor, Rohl e ka mbajtur 27-vjeçarin në periferi të ekipit, duke mos i dhënë një rol të rëndësishëm.
Vendimi tashmë është i qartë, duke qenë se Bajrami nuk konsiderohet pjesë e projektit për sezonin 2026-27 dhe është informuar për këtë situatë.
Nga ana tjetër, edhe vetë lojtari është i hapur për një transferim. Ai kërkon më shumë hapësira dhe një ambient ku mund të rikthejë formën më të mirë, ndërsa largimi i tij pritet të jetë pjesë e një “spastrimi” më të gjerë në skuadrën e Rejnxhërs, ku disa lojtarë të rotacionit do të sakrifikohen për të forcuar formacionin titullar.
Një nga destinacionet më të mundshme për Bajramin mbetet Serie A, një kampionat që ai e njeh shumë mirë. Pikërisht në Itali, me fanellat e klubeve si Empoli dhe Sasuolo, mesfushori shqiptar ka kaluar periudhat më të mira të karrierës së tij, duke u dalluar për kreativitetin dhe aftësinë për të ndikuar në fazën sulmuese.
