Kampioni aktual në futbollin vendor, ekipi i Shkëndijës së Tetovës, arriti sot në terren vendas të sigurojë epërsi ndaj ekipit të Shkëndijës së Haraçinës në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë për këtë sezon, përcjell TV21. Shkëndija e Tetovës fitoi me rezultat 3:2, para ndeshjes së kthimit që është caktuar për 6 maj.
Pas vetëm dy minutash lojë, Trumçi realizoi penalltinë për 1:0, por më pas zhvillimi i ndeshjes mori një rrjedhë krejt tjetër. Në minutën e 30-të, Sharkoski krosoi nga e djathta, ndërsa Nuhija shënoi për 1:1.
Për ta bërë surprizën edhe më të madhe, në minutën e 43-të, Livareka shënoi një gol spektakolar për 1:2.
Shoku për vendasit në pjesën e dytë i detyroi ata të përqendrohen dhe të bëjnë përmbysjen e rezultatit.
Vane Krstevski në minutën e 54-t barazoi në 2:2 pas një aksioni të mirë dhe një reagimi të shkëlqyer me këmbën e majtë. Më pas, pas një goditjeje standarde, Meliqi në minutën e 69-të, shënoi për 3:2.
Shkëndija e Tetovës kishte edhe disa raste për të shënuar golin e katërt, por nuk ia doli.
Ndeshja e kthimit e këtij gjysmëfinale të Kupës luhet më 6 maj. Kujtojmë se sot u luajt edhe gjysmëfinalja tjetër, ku në ndeshjen e parë, Ohrid dhe Sileksi barazuan 1:1.
