Gazetare: Melihate Rustemi

Finalizimi i Ligjit të Arsimit të Lartë shihet me sy të ndryshëm nga pushteti e opozita. Zëvendëskryeministri Bekim Sali tha se h-indeksi nuk do të jetë më kriter kryesor për avancimin e profesorëve, por vetëm ndihmë në rastet kur kandidatët kanë rezultate të barabarta. Ai theksoi se janë të garantuara vendet e punës në universitete. Sipas Sali, është paraparë që pesë universitetet e para në rangim të kenë studime të doktoraturës, në mesin e tyre 2 janë në gjuhën shqipe.

“E dyta është se janë garantuar të gjitha vendet e punës të cilat janë në universitete dhe kjo pikë ka qenë shumë pikë e ndjeshme gjatë gjithë procesit derisa përpilohej teksti i ligjit të ri. Pika e tretë e cila është shumë e rëndësishme për ne, sidomos për universitetet shqiptare është se në listën e universiteteve të cilat e mundësojnë ciklin e tretë studimor, me ligj janë pesë universitetet e para që japin mundësi reale që dy universitete shqiptare të jenë në këtë top pesëshin e parë në vendin tonë”, tha Bekim Sali, zëvendëskryeministër.

Nga ana tjetër deputetja e BDI-së Arbana Pasholli, vlerëson se jo të gjitha shqetësimet e ngritura janë marrë parasysh. Pasholli e cilësoi si eufori mënyrën se si VLEN-i po e prezanton marrëveshjen dhe se heqja e h-indeksit po shfrytëzohet për defokusimin e opinionit nga problemet më të thella të ligjit.

“Nuk besoj se kanë arritur që ti mënjanojnë të gjitha dyshimet dhe të gjitha pengesat, vërejtjet dhe sugjerimet të cilat u dhanë nga palët e interesit. Mendoj që është një eufori të cilën ato po e bëjnë jehonë nëpër rrjetet sociale. Mendoj që arritja për ta mënjanuar h-indeksin është vetëm një shkas për tu tërhequr vëmendja nga problemet serioze të këtij propozim ligji që kanë kryesisht të bëjnë si me autonominë financiare, gjithashtu edhe me centralizimin e vendimmarrjes. Pra, nuk do e mbështesni? Jo”, theksoi deputetja Arbana Pasholli nga BDI.

Një ditë më parë ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se ligji tashmë është mbyllur për diskutim dhe do të vazhdoj procedurat vijuese në qeveri./Alsat.mk.

The post Pushteti dhe opozita shqiptare të ndarë për Ligjin e Arsimit të Lartë appeared first on Alsat.