Ndërtimi i pikës së re kufitare midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Strumjani – Berovë, mund të fillojë pasi të përfundojnë procedurat e nevojshme ekologjike në Ministrinë e Mjedisit dhe Burimeve Ujore, raporton BNR.
“Rruga më e vështirë me miratimin e raporteve për ndikimin në mjedis tashmë është përfunduar, dhe kjo në një afat më të shkurtër se sa pritej. Ndërkohë, po koordinohen kërkesat për infrastrukturën e vetë pikës kufitare në lidhje me doganën dhe kontrollin kufitar”, deklaroi kryetari i komunës së Strumjanit, Emil Iliev.
Paralelisht me këto procedura, Iliev thotë se janë ndërmarrë aktivitete për koordinimin e institucioneve të lidhura me miratimin e këtij projekti, për shkak të së cilës ai beson se punimet mund të përshpejtohen.
Rruga prej 8 kilometrash deri në kufi është gjithashtu tashmë e miratuar, dhe është zgjedhur opsioni më i shkurtër dhe më ekologjik. Zbatues i projektit janë vetëqeverisja lokale e rajonit të Bllagoevgradit dhe Agjencia e Infrastrukturës Rrugore, ndërsa kostoja e realizimit të tij arrin në 5,5 milionë euro.
Kryetari i komunës së Strumjanit shprehu bindjen se pika e re kufitare midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut do të jetë funksionale deri në fund të vitit 2029.
“Po ashtu ekziston shqetësim nga udhëheqja e programit “Bullgaria – Maqedonia” se ai nuk do ta arrijë fundin e periudhës programore, por ne do të bëjmë gjithçka si vetëqeverisje lokale dhe, sigurisht, me administratën lokale, që është përfituese, që e gjithë kjo të realizohet brenda periudhës programore 2027–2029”, tha Iliev.
Administrata Doganore e Maqedonisë në tetor 2024 filloi aktivitetet për projektin e krijimit të pikës së re kufitare Strumjani – Berovë (Klepalo) me Bullgarinë, me një investim prej 3,7 milionë eurosh. Për këtë projekt janë siguruar 3,1 milionë euro grant nga programi IPA 3 i BE-së për bashkëpunim ndërkufitar me Bullgarinë, ndërsa 551.548 euro janë bashkëfinancim kombëtar. Hapja e pikës kufitare Klepalo pritet të forcojë lidhjen rajonale, duke lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe duke krijuar kushte për zhvillim ekonomik dhe turizëm në rajonin e Maleshevisë.
