Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muamed Sejdini i cili u arrestua për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Përvetësim gjatë shërbimit, sipas nenit 354 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal”.

I dyshuari, në periudhën nëntor dhjetor të vitit 2024, në cilësinë e personit zyrtar si kryetar i FFM-së, dyshohet se ka siguruar përfitim pasuror të paligjshëm prej rreth 660 mijë eurosh për një person juridik nga Shkupi, shumë kjo që tejkalon përfitimin e konsiderueshëm pasuror. Gjykata e pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe i caktoi atij masën e paraburgimit 30 ditor.

Dyshimet e prokurorisë tregojnë se vepra është kryer në atë mënyrë që FFM-ja, si anëtare e UEFA-s, gjatë vitit 2024 ka marrë mjete financiare rreptësisht të dedikuara për revitalizimin e fushave sportive dhe infrastrukturës.

“Me mbështetjen financiare të UEFA-s në kuadër të programit “HatTrick VI”, i dyshuari ka filluar procedurën për zbatimin e projektit për ndërtimin e tribunës në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër dhe ka dhënë propozim për fillimin e procedurës për zgjedhjen e kompanisë për realizimin e projektit.

Pas miratimit nga Bordi Drejtues, i dyshuari ka paraqitur kërkesë deri te tri firma për oferta për ndërtimin e tribunës së stadiumit, ku është zgjedhur oferta më e favorshme në vlerë të përgjithshme prej rreth 3.3 milionë eurosh pa TVSH.

Edhe pse kontraktuesi nuk e kishte kërkuar këtë dhe as në kërkesat për dorëzimin e ofertave nuk ishte cekur si mundësi, i dyshuari, në kundërshtim me vendimin e Bordit Drejtues, ka futur një kusht shtesë në kontratën e nënshkruar me firmën e përzgjedhur.

Ky kusht parashihte një pagesë avansi në vlerë prej 20% të vlerës së përgjithshme të kontratës para fillimit të punimeve ndërtimore dhe pa asnjë veprim paraprak nga kontraktuesi, duke mos paraparë asnjë sigurim juridik për mjetet e paguara në emër të avansit. Ai e ka nënshkruar një kontratë të tillë dhe më 17 dhjetor 2024, mjetet financiare në vlerë prej rreth 660 mijë eurosh që i ishin besuar në shërbim, me urdhër të tij deri te shërbimet për pagesë, i ka transferuar si avans te personi juridik.

Pasi ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e arratisjes dhe ekziston frika e bazuar se i dyshuari do të pengojë hetimin duke ndikuar te dëshmitarët, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozimin për caktimin e masës së paraburgimit.” thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

Gjykata Themelore Penale – Shkup informon publikun se duke vepruar sipas propozimit të prokurorisë kompetente, ka marrë vendim me të cilin atij i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

“Masa e paraburgimit është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se personi ka kryer veprën penale Përvetësim gjatë shërbimit. Njëkohësisht, gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë rrethana që tregojnë për rrezikun e arratisjes, si dhe mundësinë e ndikimit mbi dëshmitarët dhe dëshmitë gjatë procedurës. Gjykata do të vazhdojë të veprojë në përputhje me kompetencat ligjore dhe në interes të mbarëvajtjes efikase dhe të ligjshme të procedurës.” thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Edhe FFM e sanksionoi me ndalim dy-vjeçar të kryerjes së ndonjë funksioni
Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM) në shkurt njoftoi se ka vendosur sanksion disiplinor ndaj Sejdinit për mashtrim financiar në lidhje me punimet e ndërtimit në stadiumin e Ohrit.

Komiteti Disiplinor i FFM-së, siç thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e internetit të Federatës, i vendosi Sejdinit masë disiplinore prej dy vitesh ndalim të kryerjes së ndonjë funksioni, i cili është delegat në Asamblenë e FFM-së, për kryerjen e mashtrimit dhe mashtrimin e një organi të Organizatës së Futbollit, në përputhje me Nenin 84 të Rregullores Disiplinore.

Sejdini u sanksionua për abuzim me pozicionin e tij në lidhje me pagesë paraprake në shumën prej afërsisht 700.000 eurosh për një kompani kontraktore përgjegjëse për ndërtimin e një tribune në stadiumin “Biljanini Izvori” të Ohrit.

“Është vërtetuar se Komiteti i Emergjencave i FFM-së më 27 nëntor 2024, mori vendim për të pranuar një ofertë nga DPTU ‘Energoinvest Trade’ DOO Shkup për ndërtimin e një tribune në stadiumin ‘Biljanini Izvori’ në Ohër, në shumën prej 202,919,610 denarë, pa kusht për pagesë paraprake, dhe autorizoi presidentin e atëhershëm Muamed Sejdini të nënshkruante marrëveshje në përputhje me ofertën e pranuar. Në kundërshtim me vendimin, Sejdini, duke abuzuar me pozicionin e tij, nënshkroi një marrëveshje më 3 dhjetor 2024 me një kusht të futur për një pagesë paraprake prej 20 përqind, e cila u krye pa një garanci bankare të ofruar dhe pa autorizim përkatës”, thuhet në deklaratën e FFM-së.

Duke vepruar në këtë mënyrë, Komisioni Disiplinor përcaktoi se Sejdini mashtroi Bordin Drejtues të FFM-së dhe shkaktoi dëme të rënda materiale për Federatën, shtohet në deklaratë.