Gazetare: Ajnur Bafqari

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska bëri të ditur se është konstatuar një parregullsi tjetër, shumë më të madhe se ajo në Fakultetin Filozofik në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, ku që nga viti 2019, studentët janë regjistruar në mënyrë të paligjshme në studime njëvjeçare master dhe doktoraturë edhe pse studimet e tyre universitare ishin trevjeçare profesionale, jo akademike.

 “Shumë shpejt do të dëgjoni edhe një parregullsi tjetër, shumë më të madhe se kjo, e cila do ta befasojë të gjithë opinionin publik, ajo për të cilën them unë, shumë parregullsi në disa institucione të caktuara, jo në të gjitha institucionet dhe për to do të veprohet sipas ligjit. Nëse ka qenë fajtore administrata apo udhëheqja, dhe nëse disa studentë kanë marrë pjesë në këto veprime, këtë do ta përcaktojnë organet përkatëse”- deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska

Janevska tha se mbrëmë vonë e kishte marrë raportin nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, të cilin në dy ditët në vijim Ministria do ta përpunojë dhe nga e hëna do të merren vendime.

“E kuptoj, absolutisht, revoltën e studentëve, por ekzistojnë institucione të tjera ku ata mund t’i kërkojnë të drejtat e tyre”- shtoi Janevska.

Rektorja e universitetit Shën Kirili dhe Metodi, Biljana Angelova theksoi se këto parregullsi kanë ndodhur gjatë vitit 2019-2022 kur ka pasur udhëheqësi tjetër. Ajo tha se qëndrim do të kenë pas raportit përfundimtarë të inspektimit.

“Mbetet të jemi të durueshëm dhe ta presim raportin final të inspektimit dhe të veprohet dhe atëherë do të merrni edhe njoftim zyrtar për rezultatin e gjithë kësaj çështjeje”- tha rektorja e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Biljana Angelova.

Skandali në Filozofik ka të bëjë me regjistrimin e paligjshëm të 7 personave në studime master dhe 4 në doktoraturë, të cilëve u janë anuluar regjistrimet dhe studimet u janë ndërprerë. Prej atyre kanë magjistruar 8 persona, njëri prej të cilëve pastaj ka regjistruar edhe doktoraturën, por akoma nuk ka doktoruar asnjë. Akoma nuk ka vendim nëse diplomat e tyre do të jenë të vlefshme. /Alsat.mk

The post Janevska: Parregullsi edhe më të mëdha se në “filozofik” appeared first on Alsat.