Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, akuzoi dy partitë më të mëdha opozitare për bllokim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri.
Përmes një video drejtuar qytetarëve, Kurti tha se udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po sillen “edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar” – duke iu referuar negociatave që dështuan vitin e kaluar mes tij dhe kreut të Nismës Socialdemokrate për konstituimin e Kuvendit.
“Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet”, tha Kurti, duke iu referuar kreut të PDK-së, Bedri Hamza, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Radio Evropa e Lirë u është drejtuar këtyre dy partive për koment lidhur me akuzat e Kurtit dhe është në pritje të përgjigjeve.
Në videon mbi 5 minuta, Kurti tha se ka iniciuar takime me krerët opozitarë për të arritur 80 votat e nevojshme për president dhe u ka bërë oferta “gjeneroze”, por ato janë refuzuar.
Ai përsëriti ofertën bërë LDK-së, të cilës i ofroi postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri. Po ashtu, kësaj partie Kurti i ka ofruar edhe një alternativë tjetër, ndërrimin e pozitave mes kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, ku partia e Abdixhikut do të merrte postin e kryeparlamentarit. Kjo ofertë u refuzua nga Abdixhiku
Kurti i ka bërë edhe ofertë PDK-së, përkatësisht i ka ofruar postin e kryetarit të Kuvendit, në këmbim të postit të nënkryetarit të organit ligjvënës, që aktualisht e ka PDK-ja. Edhe kjo ofertë u refuzua nga Hamza, i cili e ka cilësuar si “joserioze”.
Kurti sërish paralajmëroi zgjedhje të njëpasnjëshme nëse nuk arrihet një ujdi për presidentin.
“Nëse shkojmë në zgjedhje në qershor, dhe LVV me partnerët [Guxo, Alternativa e pakicat] nuk i mbërrin 80 deputetë, atëherë do të shkojmë sërish në zgjedhje në vjeshtë a dimër. Kujt i konvenon kjo?”, pyeti Kurti.
Ai po ashtu tha se duhet të respektohet vullneti i qytetarëve të shprehur përmes rezultatit zgjedhor më 28 dhjetor, kur partia e tij fitoi 51.1 për qind të votave.
“Demokracia duhet të bazohet në vullnetin e popullit dhe në rezultatin zgjedhor, jo në marrëveshje politike që e anashkalojnë dhe shkelin atë. Pa respektimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund të ketë marrëveshje politike. Ndërkaq, qëllimi është të shmangen zgjedhjet e përsëritura dhe të sigurohet stabiliteti institucional”, tha Kurti.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.
Edhe përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.
Partia në pushtet në një seancë më 5 mars kishte paraqitur dy emra për president: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën. Vetë Konjufca më pas ka deklaruar se do të tërhiqte kandidaturën, nëse opozita del me një kandidat konsensual.
Më 6 mars, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria.
Gjykata më e lartë në Kosovë tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit./REL.
The post Kurti: Opozita s’do pushtet e përgjegjësi për vete, por do që unë të mos kem pushtet appeared first on Alsat.
