-Përgjegjësi nuk është të dalësh tri ditë para afatit me “ide të reja”. Përgjegjësi është të punosh nga dita e parë, me sinqeritet e vendosmëri. Çdo “ofertë e re”, tani në minutat e fundit, është vetëm lojë politike për t’u arsyetuar dhe jo përgjegjësi shtetërore për të ofruar zgjidhje, tha përmes një video-mesazhi kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përcjell TV21. Hamza ka kritikuar, siç thotë ai “ofertat në minutat e fundit” të Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e presidentit, duke i cilësuar si manovra politike për justifikim para qytetarëve dhe jo si përpjekje serioze për zgjidhje.

“Ne si PDK kemi ofruar zgjidhje konkrete. Kemi ofruar marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kemi ofruar marrëveshje vetëm për presidentin dhe diskutim për emrat konsensualë, në një fazë të dytë, pas dakordimit parimor. Madje kemi mbështetur edhe figura unifikuese, që i bashkojnë të gjithë qytetarët tanë. Por kjo qasje konstruktive e jona nuk u vlerësua”, tha mes tjerash Hamza.

Hamza thotë se pushteti nuk vlerësoi propozimet e PDK-së, dhe po e çon vendin drejt zgjedhjeve.

“Dhe stabiliteti nuk ndërtohet me improvizime dhe kalkulime politike ditore, ndërtohet me besim qytetar, me legjitimitet të ri, prandaj duhet të kthehemi te qytetari. Le të vendosin ata për drejtimin që duhet të marrë vendi. Sepse demokracia nuk është vetëm numër votash, por është edhe mënyrë se sie përdor atë besim”, thotë Hamza.