Ministri i Jashtëm i Iranit zhvilloi bisedime me udhëheqësin e Omanit, një ditë pasi dy të dërguarit kryesorë të SHBA-së u tërhoqën papritur nga bisedimet e planifikuara për t’i dhënë fund luftës në Iran, e cila është duke zgjatur mbi dy muaj. Presidenti amerikan Donald Tramp tha se anuloi negociatat me Iranin sepse kishte shumë udhëtime dhe se negociatorët e tij nuk po takoheshin me liderin e vendit. Sipas Trampit iranianët kanë dërguar një propozim të ri për paqe, por e ka refuzuar.

“Me siguri keni dëgjuar që e anuluam udhëtimin. Ne i kemi të gjitha kartat. Nuk do të kalojmë 15 orë në avionë duke shkuar vajtje-ardhje për të marrë një dokument që nuk ishte mjaftueshëm i mirë. Pra, do të merremi me telefon dhe ata mund të na telefonojnë në çdo kohë që duan. Atyre praktikisht nuk u ka mbetur ushtri. Nuk u kanë mbetur liderë,” deklaroi Donald Trump, President i SHBA.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i kanë pezulluar bombardimet ndaj Iranit, në përputhje me armëpushimin e shpallur nga Trampi, të cili ai e zgjati më 21 prill për kohë të papërcaktuar.  Irani e ka kushtëzuar rikthimin në tryezën e bisedimeve me heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, një kërkesë që Tramp deri tani e ka hedhur poshtë. Bllokada detare e SHBA-së, si dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, kanë bërë që çmimet globale të energjisë të rriten tejet shumë, duke shkaktuar mungesa karburanti në disa vende dhe ndërprerje të udhëtimeve ajrore ndërkombëtare.

The post Negociatat SHBA–Iran mbeten të bllokuara, refuzohet propozimi për paqe appeared first on Alsat.