Gazetar: Avni Tahiri
Ashensorët e garazheve shumëkatëshe në Shkup, nuk funksionojnë.
Qytetarët thonë se edhe pse garazhet shumëkatëshe ekzistojnë, të njëjtat shpesh i evitojnë për shkak të problemit të ashensorëve që nuk punojnë. Disa qytetarë të cilët kishin parkuar veturën në katin e pestë në një nga garazhet shumëkatëshe, iu deshtë që të ngjasin shkallët së bashku me çantat e rënda.
“Në këmbë ngjitemi dhe ashtu zbresim. E rëndë? Edhe të jetë e vështirë e kemi patjetër,” tha një qytetar.
“Është shumë e mirë, për kondicion është shumë punë e mirë. Po bëj hajgerë,” tha një tjetër qytetar.
Garazhet shumëkatëshe në Shkup, janë nën kompetencën e Qytetit të Shkupit dhe menaxhohen nga Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit”. Nga Ndërmarrja thonë se kanë probleme me ashensorët, pasi kompania e zgjedhur në tender nga ish kryetarja e Shkupit, nuk i riparon ashensorët dhe nuk u përgjigjet thirrjeve të tyre për mirëmbajtje të rregullt.
“Bëhet fjalë për një kompani që nuk i servison ashensorët. Do ta ndërpresim kontratën, pasi pavarësisht vërejtjeve të shumta me shkrim nuk ndërmerren masa për servisimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Tashmë është hapur edhe një tender për përzgjedhjen e një kompanie të re,” tha Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit”.
Sipas Ndërmarrjes, ashensorët e garazheve vandalizohen vazhdimisht, pasi bëhet fjalë për garazhe të hapura që funksionojnë 24 orë në ditë, gjë që e vështirëson mirëmbajtjen e tyre. Parkimi në garazhet shumëkatëshe të Qytetit të Shkupit kushton 30 denarë për orë, por për shkak të problemit me ashensorët, qytetarët së fundmi i evitojnë të njëjtat. /Alsat.mk
The post Ashensorët jashtë funksionit, qytetarët shmangin garazhet shumëkatëshe në shkup appeared first on Alsat.
