Boksieri britanik Anthony Joshua, ish-kampion bote në peshën e rëndë, do të rikthehet në ring më 25 korrik, në një duel që do të zhvillojë në Arabinë Saudite. Ai do të ndeshet me 35-vjeçartin shqiptar Kristian Prenga, në Riad këtë verë.
Ky do të jetë ndeshja e parë e Joshua që kur u rikthye në stërvitje pas një aksidenti me makinë në Nigeri në dhjetor, ku humbën jetën dy nga miqtë e tij të ngushtë. Një rikthim që shton spekulimet se Joshua më në fund do të ndeshet me rivalin e tij të madh Tyson Fury më vonë këtë vit.
Joshua, duke folur për mediat, tha: “Nuk është sekret që kam marrë pak kohë për t’u konsoliduar dhe rindërtuar për të qenë gati për t’u rikthyer në ring dhe sot është hapi tjetër në atë udhëtim”.
“Jam i kënaqur që kam rënë dakord për një marrëveshje për shumë ndeshje duke filluar nga 25 korriku në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Pres me padurim të garoj dhe të vazhdoj aty ku e lashë”, shtoi Joshua.
Kristian Prenga jeton në SHBA dhe ka një rekord të mirë, 20 fitore dhe vetëm një humbjeje. “Anthony Joshua është një luftëtar i shkëlqyer, por ai bëri një gabim të tmerrshëm në llogaritjen e tij duke më zgjedhur mua si kundërshtar. Ky është lloji i ndeshjes që ndryshon gjithçka në jetën time dhe të tijën”.
“E di që ata kanë plane të mëdha përpara pas kësaj ndeshjeje. E di që po më lënë pas dore. Jam i lumtur për këtë. Do t’i prish planet e tyre dhe do ta trondis botën këtë korrik në Arabinë Saudite“, tha Prenga.

The post E fundit!!! Joshua sërish në ring më 25 korrik, do të përballet në Riad me shqiptarin Kristian Prenga appeared first on Telesport.
