Gazetare: Fatlume Dervishi
Fronti Evropian njoftoi mbledhjen e 30 nënshkrimeve nga deputetët për fillimin e procedurës për ndryshimet kushtetuese që lidhen me eurointegrimin. Ata thonë që të gjithë deputetët që mbështesin zhbllokimin e zhvillimit të vendit, duhet ta mbështesin atë.
“Për dy vite nuk është bërë asnjë hap përpara prandaj sot është momenti për hapin kyç që të zhbllokojë procesin dhe të mundësojë vazhdimin real të negociatave në Bashkimin Evropian. Nuk mund të fshihemi më pas kuazi-arsyetimeve se po pritet formimi i një qeverie stabile në Bullgari. Bullgaria tashmë ka shumicë parlamentare dhe qeveri të ardhshme stabile. Në mënyrë të veçantë i ftojmë deputetët e VLEN-it që të vendosin nënshkrimin e tyre në këtë iniciativë. Para zgjedhjeve deputëët e tyre u zotuan me nënshkrimin e tyre në deklaratë të përbashkët se nuk do të bëhen pjesë e një qeverie e cila nuk do të vazhdojë procesin eurointegrues” tha Blerim Bexheti, Fronti Evropian.
Të pyetur nëse nisma e tyre do të përfshijë edhe çështje të tjera, si ajo e 20 përqindshit, nga partia opozitare thonë se nuk e kanë definuar nismën dhe se presin sugjerime për të gjitha çështjet që duhet të hapen.
VLEN thonë se nuk do të bëhen pjesë e parodisë së BDI-së. sipas tyre, ndryshimet kushtetuese kërkojnë qasje serioze dhe të sinqertë.
“Për të mbajtur edhe më tutje shpresën e anëtarëve të BDI-së, BDI-ja po del me ide të mëdha. Ne e dimë se 20 vite BDI-ja në qeveri mbeti jo duke realizuar projekte në interes të shqiptarëve por duke promovuar ide të mëdha. Ne e dimë kryeministrin e famshëm shqiptar, ne e dimë agjendën e gjelbert, ne i dimë shumë projekte të cilat ishin për destinim fitimin e zgjedhjeve dhe t’i harronin pas zgjedhjeve. Edhe kjo është një ide e tillë madhore e BDI-së e cila shumë shpejt do të harrohet. Pra, një ide e cila shërben për nevoja të brendshme të BDI-së për të mbajtur aktivistët e saj”, deklaroi Bilall Kasami nga VLEN.
Deri tani nga LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja nuk kanë treguar qëndrimin e tyre për nismën e re të Frontit Evropian.
The post Fronti Evropian nisi mbledhjen e nënshkrimeve për procedurën e ndryshimeve kushtetuese, VLEN e quan “ide madhore që shpejt do të harrohet” appeared first on Alsat.
