Gazetare: Fatlume Dervishi
VMRO-DPMNE-ja gjithsesi nuk do të heqë dorë nga shfuqizimi i qeverisë teknike. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se është çështje e LSDM-së nëse do të bojkotojnë ose jo grupin e punës për Kodin zgjedhor ose ashtu siç ka zëra, edhe Kuvendin, por se sipas tij, nuk do të ketë krizë politike.
“Nga ajo që dëgjoj dhe e pres prej tyre që ta lëshojnë edhe Kuvendin, siç tha një deputet i tyre. Mund të bojkotojnë edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare që kjo kryesi e LSDM-së të vazhdojë të jetë kryesi. Ajo është zgjedhja e tyre. Nëse dikush ka vendosur të margjinalizohet në skenën politike unë nuk mundem ta ndaloj. Ne mund t’i mësojmë se VMRO-DPMNE-ja ka bojkotuar një herë në vitin 94 dhe kaloi keq. Për ndryshe nuk pres krizë politike. Ne si qeveri në Kuvend kemi më shumë se 2/3. Formalisht jo por nëse nxitemi, do ta formojmë edhe atë numër”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
LSDM-ja nuk ka ndryshuar qëndrim. Ata thonë se do ta bojkotojnë grupin e punës për Kodin zgjedhor, gjë që do ta bënte ndryshimin e ligjit jolegjitim për shkak të mungesës së konsensusit politik.
BDI-ja nga ana tjetër nuk do ndjekë shembullin e tyre. Ata thonë se zgjedhin të kenë rol aktiv në procesin e ndryshimit të Kodit zgjedhor duke qëndruar në grup dhe duke dhënë sugjerimet e tyre.
“Ne jemi për qasje aktive dhe kemi dhënë kontributin tonë me propozimet tona deri më tani dhe sa e di takimi i radhës është caktuar për datën 29 dhe kemi dorëzuar vërejtjet tona që lidhen me Kodin zgjedhor” tha Blerim Bexheti, nga Fronti Evropian
Propozim-ndryshimet e ligjit për qeverinë parashikojnë shfuqizimin e qeverisë teknike pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Sipas pushtetit, institucionet janë të pjekura për organizimin e zgjedhjeve demokratike.
The post Qeveria teknike, Mickoski s’pret krizë politike nga bojkoti i LSDM-së appeared first on Alsat.
