Ministri për Punët e Jashtme në Shqipëri, Ferit Hoxha mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me njërin nga kryetarët e VLEN, Izet Mexhiti, pas takimit që patën në Tiranë.

Gjatë konferencës, Hoxha u pyet në lidhje me publikimin e një mesazhi që i atribuohet atij, ku pretendohet se u referohet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut me fjalën “idiotë”.
Në përgjigjen e tij, Hoxha tha se bëhet fjalë për një çështje të kaluar tashmë. Hoxha u shpreh se situata i përket javës së kaluar dhe se ai ka dhënë sqarimet e nevojshme për gjithçka që është pretenduar.

“Keni mbetur te java e kaluar, ndërkohë që gjërat kanë evoluar. Unë kam bërë të gjitha sqarimet e mia për çdo pretendim. U krijua një lloj tymnaje, por tashmë ajo është tejkaluar. Jam i hapur për t’u takuar në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, pavarësisht nëse biem dakord apo jo, sepse edhe brenda një familjeje ka mosmarrëveshje,” tha ai.
Ministri shtoi më tej se nuk ka vend për interpretime të tjera mbi atë që është diskutuar dhe mbi bashkëpunimin në vijim, duke theksuar se nuk ka asnjë “tymnajë” që mund të ndikojë marrëdhëniet mes palëve apo të pengojë objektivat e përbashkëta.

The post Hoxha takon Mexhitin: Nuk ka asnjë “tymnajë” që mund të ndikojë në marrëdhëniet tona appeared first on Alsat.