Sërish janë të disponueshme paratë nga Programi IPARD, të cilat ishin pezulluar për shkak të arrestimit të ish-drejtorit të Agjencisë së Pagesave, Ile Stoilev, i cili u kap duke marrë ryshfet. Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, thotë se Brukseli ka konfirmuar se nuk ka asnjë parregullsi në procedura, dhe mjetet e IPARD-it janë përsëri të disponueshme dhe në dispozicion për bujqit.
“Sot arriti edhe njoftimi zyrtar nga Komisioni Evropian, Drejtoria e Përgjithshme për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, se mjetet nga Programi IPARD janë përsëri të disponueshme për përdorim nga bujqit maqedonas. Në përputhje me aktivitetet e ndërmarra me kohë, kontrollin e plotë dhe të detajuar për përdorimin e mjeteve nga Programi IPARD, është konstatuar se nuk ka parregullsi në vetë procedurat, që do të thotë se sistemi funksionon, institucionet veprojnë me përgjegjësi, transparencë dhe në interes të bujqve maqedonas”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.
