Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup kanë bashkuar studimet për të analizuar ndikimin e EVN Maqedoni në ekonominë kombëtare, sektorin energjetik dhe shoqërinë gjatë dy dekadave të fundit. Rezultatet janë përmbledhur në publikimin e titulluar “Libri i Bardhë”, i cili ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të transformimit të sistemit energjetik në Maqedoni dhe ndikimin e kompanisë në zhvillimin ekonomik dhe social.
Në një promovim solemn në Filharmonin e Shkupit, ku morën pjesë funksionarë të lartë dhe përfaqësues të komunitetit akademik dhe biznesit, u prezantuan të dhënat kryesore të studimit. Sipas të dhënave, EVN Maqedoni do të përfundojë investime në vlerë prej 837,46 milionë euro deri në vitin 2026, duke kontribuar me 1,4% në BPV dhe 95 milionë euro si kontribut të drejtpërdrejtë në ekonominë vendase.

Një aspekt i rëndësishëm i studimit është riinvestimi i të gjithë fitimit të EVN në ekonominë vendase, duke u dalluar nga praktikat e zakonshme të kompanive të huaja që shpesh transferojnë fitimet jashtë. Kompania ka arritur të përmirësojë infrastrukturën energjetike, me ndërtimin e mbi 5.500 km rrjet të ri dhe modernizimin e 3.000 km të rrjetit ekzistues, duke reduktuar humbjet në rrjet nga 24% në 14%.

Investimet në burimet e rinovueshme janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e strategjisë së EVN. Kompania ka revitalizuar 11 hidrocentrale të vogla, ka ndërtuar 9 centrale fotovoltaike dhe ka krijuar mundësi për elektromobilitet, me 120 pika mbushjeje për automjetet elektrike.
Për më tepër, EVN mbështet më shumë se 3.900 vende pune dhe angazhohet për zhvillimin e punonjësve përmes trajnimeve, aktiviteteve edukative dhe programeve të bursave. Kompania ka gjithashtu në pronësi Qendrën Ekspozuese-Edukuese “Matka”, që synon edukimin e gjeneratave të ardhshme mbi energjinë dhe efikasitetin energjetik.

Në fund të 20 viteve të funksionimit, EVN Maqedoni vazhdon të kontribuoni në një të ardhme energjetike moderne dhe të qëndrueshme për vendin, duke mbështetur zhvillimin ekonomik dhe shoqëror nëpërmjet investimeve të vazhdueshme dhe përkushtimit ndaj qëndrueshmërisë energjetike.
