Gazetar: Suad Bajrami
VLEN-i po ia mat pulsin Ziadin Selës për të parë nëse është i gatshëm të përfshihet në qeveri, pesë muaj pasi ndau rrugët e bashkëpunimit me BDI-në për të vepruar në mënyrë autonome. Izet Mexhiti i cili trazoi bisedën për bashkëpunim eventual me Selën në kuadër të ekzekutivit, tha se dera është e hapur dhe se ka bisedime “aty-këtu”, ndonëse nuk ka ndonjë ofertë serioze. Ndërkohë ish bashkëpunëtori i Selës, tani pjesë e ASH-së së VLEN-it Latif Arifi, mbrëmë në intervistën për Alsat tha se nuk e kanë problem përfshirjen e Selës në Qeveri.
“Për ne nuk do të ishte problem ardhja e Ziadin Selës në VLEN për shkak se vetë fakti se Ziadin Sela mori një hap dhe u largua nga AKI-ja, normalisht derisa largohet nga AKI-ja, mund të ishte pjesë, tani bisedimet sigurisht se do t’i bëjë edhe kryeministri, por edhe ne brenda VLEN-it duhet të komunikojmë derisa është pjesë e partive politike shqiptare që përfaqësohen atje”, tha Latif Arifi nga ASH.
Ndonëse se Sela personalisht nuk dëshiron të japë komente për çështjen në fjalë, nga partia japin përgjigje të shkurtër se janë duke punuar rreth kongresit të partisë i cili pritet të mbahet në periudhën në vazhdim. Ndërkohë që për më 9 maj kongres ka paralajmëruar edhe VLEN-i, i cili zyrtarisht do të shkrihet në parti.
Hera e fundit që flitej për futjen e ASH-së së Selës në Qeveri ishte në nëntor të vitit të kaluar, kur Sela mohoi informatat e tilla, ndërkohë që tha se një mundësi e tillë mund të realizohet nëse plotësohen tre kushte: ndryshimet kushtetuese dhe zhbllokimi i rrugës së integrimit evropian, heqja e formulimit 20% dhe futja e gjuhës shqipe në kushtetutë, por edhe vendosja e parimit të Badinterit gjatë vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese. /Alsat.mk.
The post VLEN mat pulsin e Selës nëse është i gatshëm të përfshihet në Qeveri appeared first on Alsat.
