Festa e 1 majit këtë vit do të shoqërohet me mot të paqëndrueshëm dhe temperatura më të ulëta se zakonisht, duke prishur planet tradicionale për piknik dhe qëndrime në natyrë të shumë qytetarëve. Nga Enti Hidrometeorologjik paralajmërojnë se deri në fund të ditës së sotme pritet të mbajë mot më i freskët me reshje lokale shiu, ndërsa në zonat malore reshjet mund të kalojnë herë pas here edhe në borë. Sinoptikët thanë se do të fryjë erë e përforcuar nga drejtimi verior, duke e bërë motin edhe më të ftohtë. Në Shkup dhe rrethinë moti do të mbetet i vranët dhe me reshje ndërsa temperaturat në disa zona mund të zbresin deri në 2 gradë apo edhe nën zero.

“Nesër dhe gjatë ditëve të fundjavës moti gjatë ditës do të jetë pjesërisht i vranët, dukshëm më i freskët, me reshje të herëpashershme lokale shiu. Nesër në pjesët jugore të vendit, ndërsa të shtunën dhe të dielën edhe në pjesët perëndimore dhe lindore, do të vazhdojë të fryjë erë e përforcuar veriore. Temperaturat ditore do të jenë nën mesataren për muajin maj, duke lëvizur nesër nga 9 deri në 16 gradë, ndërsa gjatë fundjavës nga 12 deri në 21 gradë”, Juliana Fidanoska Mishkoska, sinoptike

Siç bën të ditur nga Enti Hidrometeorologjik, nga e hëna pritet stabilizim i motit. Temperaturat e mëngjesit do të mbeten ende të ulëta, por jo negative, ndërsa temperaturat ditore do të shënojnë rritje të ndjeshme, duke arritur nga 18 deri në 26 gradë dhe më pas do të vazhdojnë me tendencë rritjeje./Alsat.mk.