Gazetare: Fatlume Dervishi
Dy nga gjithsej dhjetë pika nga Agjenda e reformave nuk do të realizohen deri në qershor, njëra prej tyre është Kodi zgjedhor. Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se me largimin e LSDM-së nga grupi i punës, bisedimet për ndryshimin e Kodit nuk do të vazhdojnë.
E dyta është kërkesa që shteti të mos sigurojë 100% të rrymës për amvisëritë. Kryeministri thotë se nëse ajo bëhet, do të nënkuptojë 25-30 fatura më të shtrenjta për amvisëritë.
“LSDM-ja e lëshoi grupin e punës për Kodin zgjedhor dhe deri sa mbetet ky vendim, ne Kodin zgjedhor nuk mundemi ta miratojmë sepse ai është një nga ligjet që janë në grupin e ligjeve për të cilat nevojitet konsensus në kuadër të Kuvendit. Gjithçka tjetër do të përfundojë dhe do të përgënjeshtrojë atë që e thotë LSDM-ja”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
LSDM-ja kritikon vonesën e reforma. Sipas tyre, kryeministri thotë se ecën krah për krah me Malin e Zi i cili avancon në rrugën evropiane, por se realisht, sipas tyre, Mickoski ecën krah për krah me Vuçiqin të cilit ju suspenduan fondet evropiane deri në realizimin e reformave në gjyqësor dhe media.
“Mickoski, në vend që të përmbushë standardet evropiane, po kopjon versionin më të keq të modelit serb, modelin e autokratit Aleksandar Vuçiq. Evropa e ka bërë të qartë: pa reforma të vërteta, pa sundim të ligjit dhe pa liri mediash, nuk ka para dhe nuk ka përparim”, kritikojnë nga LSDM-ja.
Secila nga kërkesat në Agjendën e reformave shoqërohet me miliona euro nga plani i rritjes në rast se realizohet brenda afatit të caktuar nga Komisioni Evropian.
The post Reformat / Mickoski konfirmon: Pas largimit të LSDM-së nga grupi i punës, Kodi zgjedhor s’do të miratohet appeared first on Alsat.
