SHBA-të pritet të tërheqin 5,000 trupa nga Gjermania, ndërkohë që plane të ngjashme janë paralajmëruar edhe për trupat amerikane në Itali dhe Spanjë.

Berlini është kundërpërgjigjur ndaj vendimit të Uashingtonit, duke thënë se pakësimi i trupave amerikane nënvizon përgjegjësinë e mbrojtjes evropiane.

“Evropianët duhet të marrin përgjegjësi më të madhe për sigurinë e tyre“, tha të shtunën Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius në përgjigje të njoftimit të planeve të SHBA-së për të tërhequr 5,000 trupa nga Gjermania.

“Gjermania është në rrugën e duhur” në këtë drejtim, tha Pistorius, duke treguar zgjerimin e forcave të saj të armatosura Bundeswehr, prokurimin më të madh dhe më të shpejtë të pajisjeve dhe ndërtimin e infrastrukturës.

Pentagoni njoftoi të premten se SHBA-të do të tërheqin 5,000 personel ushtarak nga aleati i NATO-s, Gjermania. Pistorius e vlerësoi numrin aktual të trupave amerikane të stacionuara në Gjermani në “pothuajse 40,000”.

Në përgjigje të kritikave të ashpra nga Uashingtoni për shpenzimet e mbrojtjes, anëtarët evropianë të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, janë zotuar të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre. Por me buxhete të kufizuara, dhe boshllëqe të mëdha në aftësitë ushtarake, do të duhen vite që rajoni të përmbushë nevojat e veta të sigurisë.

“Prania e ushtarëve amerikanë në Evropë, dhe veçanërisht në Gjermani, është në interesin tonë dhe në interes të Shteteve të Bashkuara”, tha Pistorius. Megjithatë, ishte “e parashikueshme që SHBA-të do të tërhiqnin trupat nga Evropa, përfshirë Gjermaninë”, shtoi ai.