Opozita LSDM dhe partia në pushtet VMRO-DPMNE shkëmbejnë akuza për integrimet evropiane, reformat dhe sjellja e liderëve politikë. Nga LSDM ia kujtojnë pushtetit se Bashkimi Evropian kërkon reforma të vërteta, sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit, ndërsa sipas tyre, Maqedonia e Veriut qëndron në vend për shkak të pushtetit aktual. Partia opozitare e akuzoi Qeverinë e udhëhequr nga Mickoski se nuk mund t’i zbatojë ndryshimet e nevojshme, duke vlerësuar se institucionet janë të partizuara dhe se nuk ka përparim real drejt Bashkimit Evropian.

“Nga 10 pikat kryesore reformuese që i kërkon Evropa, ekziston edhe pika e 11-të që Mickoski dhe VMRO nuk do ta përmbushin kurrë: Të çlirohemi nga grupi kriminal. Derisa Mickoski dhe banda e tij janë në pushtet, ata nuk mund ta arrestojnë veten. Nuk mund të luftojnë korrupsionin në të cilin vetë janë të thellë të përfshirë. Nuk mund t’i reformojnë institucionet të cilat i kanë shndërruar në mjete partiake. Çdo gjë tjetër janë përralla të Hristijan Andersen Mickoskit”, tha LSDM.

Qytetarët duhet ta kuptojnë këtë: Evropa nuk mund të pranojë një organizatë kriminale në anëtarësinë e saj, shkruhet në komunikatën e socialdemokratëve.

E nga ana tjetër, VMRO-DPMNE ka drejtuar kritika ndaj liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, duke e akuzuar për, siç thonë ata, turizëm politik, jokonsekuencë dhe agjendë të rreme pro-evropiane.

“LSD dhe Venko Filipçe vetë i ngjisin vetes etiketën “opsion pro-evropian”, ndërsa miqtë e tyre më të mirë janë Onishçenko, Borçe Markovski dhe Miograd Davidoviq Daka, biznesmenë pro-rusë. LSDM dhe Filipçe prezantohen si parti pro-evropiane, ndërsa gënjeshtrat dhe manipulimet e tyre vazhdimisht demantohen nga institucionet evropiane dhe eurodeputetët. Nëse vërtet janë pro-evropianë, pse Evropa vazhdimisht i demanton?”, deklaroi Valentin Manasievski

Si shembull të demantimeve, VMRO-DPMNE solli në kujtesë deklaratën e eurodeputetit dhe raportuesit për Maqedoninë Tomas Vajc, të cilën, sipas tyre, LSDM e shtrembëroi, ndërsa ai qartë theksoi se Maqedonia ka progres të madh në Agjendën Reformuese. “E njëjta gjë ndodhi edhe me histerinë që përhapën për fondet IPARD”, thonë nga DPMNE, duke përfunduar se LSDM me Venko Filipçen është i njëjti LSDM me Zoran Zaev.