Interi është kampion i Italisë në futboll. Titullin e 21-të në histori, Interi e siguroi të dielën mbrëma me fitoren 2:0 në shtëpi ndaj Parmas.

Ndeshja i takoi xhiros së 35-të të Serie A. Tri xhiro para fundit, Interi është lider me 82 pikë, plot 12 më shumë se Napoli i vendit të dytë. Dhe skuadra e Cristian Chivu më nuk mund të arrihet nga skuadrat e tjera të elitës italiane.

Interit i mjaftonte edhe barazimi për ta siguruar titullin. Por skuadra e madhe nga Milano shënoi fitore për ta festuar titullin me stil.

Marcus Thuram e realizoi golin e parë në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Ndërkohë Henrikh Mkhitaryan realizoi golin e dytë në minutën e 80-të.

Deri në një pikë të kampionatit, gara në Itali ishte e fortë. Më pas Interi nisi gradualisht shkëputjen, kryesisht për faktin se Napoli e Milani, por edhe skuadrat e tjera të kreut, lëshuan shumë pikë.
Titullin e 20-të, Interi e fitoi dy vjet më parë. Para një viti Napoli u shpall kampion.

Juventusi është ekipi bindshëm më i suksesshëm në Itali me plot 36 tituj. Interi është i dyti me 21 tituj, tani dy më shumë se Milani që ka 19. Klubet e tjera kanë më pak se dhjetë tituj të kampionit.