PSG përgatitet për një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Të mërkurën në mbrëmje, në “Allianz Arena”, parizienët do të përballen me Bayern Munich, në kthimin e gjysmëfinales së Champions League, pas spektaklit 5-4 të ndeshjes së parë. Ndeshja do të drejtohet nga portugezi João Pinheiro, një zgjedhje që ka surprizuar. UEFA ia ka besuar atij Bayern-PSG, teksa shtypi francez është skeptik: “Nuk ka eksperiencë në këto nivele”.

Për të është gjysmëfinalja e parë e Champions-it në karrierë. Deri tani, ndeshja më e rëndësishme që ka gjykuar ishte në 1/8 finale, sezonin e kaluar. Megjithatë, ai sjell kujtime pozitive për PSG, sepse ishte arbitër i katërt në finalen e fituar ndaj Interit në Mynih. Portugezi ka qenë i pranishëm edhe në Superkupën e Europës, të fituar kundër Tottenham. Edhe Bayerni ka bilanc pozitiv me të, duke fituar të dyja ndeshjet europiane të drejtuara prej tij.

Sfida vjen në një klimë tensioni pas polemikave të ndeshjes së parë, të gjykuar nga zvicerani Sandro Schärer. U akorduan dy penallti, nga një për secilën skuadër, që ndezën debat. Diskutohet ende penalltia për gjermanët pas kontaktit Pacho–Luis Díaz, e konfirmuar nga VAR-i. Gjithsesi, edhe PSG përfitoi nga VAR-i për një prekje me dorë të Davies, me Dembélé të saktë nga pika e bardhë.

 

 

The post Arbitër portugezi për Bayern Munich-PSG, shtypi francez skeptik: Nuk ka eksperiencë në këto nivele appeared first on Telesport.