Shënimi i 123-vjetorit të rënies së revolucionarit Goce Dellçev vjen në një kohë kur vendi ende ka çështje të pazgjidhura me Bullgarinë, ku ndër të tjera është pikërisht edhe çështja se kujt i përket Dellçevi. Delegacione të shumta edhe këtë vit, te varri i Dellçevit në kishën “Shën Spas”, ku u vendosën kurora dhe lule të freskëta. Kryeministri Mickoski nuk pret ndryshim në marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe, siç theksoi, ato do të ashpërsohen edhe më shumë.
“Nuk pres aspak të ndryshojë atmosfera, përkundrazi pres që e njëjta atmosferë të nxehet edhe më shumë, sepse ende kemi struktura, si politike ashtu edhe shoqërore në vend, të cilat janë të gatshme të gjunjëzohen para autoriteteve bullgare dhe të jenë indi i butë i politikës së jashtme maqedonase. Për sa kohë që ka struktura të tilla politike dhe forca shoqërore, unë nuk pres ndryshim në qëndrimin e fqinjit tonë lindor”, tha Mickoski.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, nga ana tjetër tha se VMRO-DPMNE po e keqpërdor figurën dhe veprën e Dellçevit dhe se, sikur ai të ishte gjallë, do të turpërohej nga kjo VMRO. Ai tha se Bullgaria nuk e mohon identitetin tonë, ndërsa kryeministri Mickoski nuk i zbaton ndryshimet kushtetuese sepse nuk dëshiron që vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.
“Ne kemi një çështje dhe dihet cili është rrugëtimi përpara dhe çfarë duhet të bëhet që realisht të nisin reformat dhe që në praktikë të vazhdojë rruga e eurointegrimeve, e ato janë ndryshimet kushtetuese. Dhe me ndryshimet kushtetuese, me të cilat në Kushtetutë do të përfshihen bullgarët, kroatët e kështu me radhë, absolutisht asgjë nuk është e rrezikuar. Është gënjeshtër ajo që thotë VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski. Pse? Sepse nuk duan që vendi të ecë përpara drejt Evropës, nuk duan reforma të vërteta”, deklaroi Filipçe.
Pas zgjedhjeve në Bullgari, në të cilat fitoi ish-presidenti Rumen Radev, pritet që ai të formojë qeverinë, e më pas priten edhe takime dhe bisedime të mundshme për çështjet e hapura që kanë Maqedonia dhe Bullgaria.
