Në ambientet e Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut u mbajt sot manifestimi qendror me rastin e 7 Majit – Ditës së Policisë së Maqedonisë, ku ministri Pançe Toshkovski theksoi se policia e Maqedonisë mbetet shtyllë kyçe e sigurisë, stabilitetit dhe sundimit të ligjit, duke nënvizuar se institucionet kanë kapacitet për t’u përballur me kriminalitetin dhe korrupsionin.

Ai tha se vitin e kaluar kriminaliteti i përgjithshëm është ulur për mbi 6%, janë goditur 16 grupe të organizuara kriminale me 205 persona të përfshirë, ndërsa janë realizuar edhe raste të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, kriminaliteti është në nivelin më të ulët në 20 vitet e fundit dhe efikasiteti i policisë ka arritur 67.2%, niveli më i lartë në këtë periudhë.

Toshkovski shtoi se paralelisht po bëhet edhe modernizimi i institucionit, me renovimin e shërbimeve administrative në Shkup, hapjen e tetë zyrave të reja në vend dhe furnizimin me 120 automjete të reja policore.