Nuk mund të kërkojmë punë të përkohshme në vende turistike, duke paguar tatimet në vend të huaj, e pastaj të vijmë në Maqedoni të kërkojmë sistem falas shëndetësor dhe ta kritikojmë sistemin! Duhet të kontribuojmë në ekonominë vendore nëse duam që ta ndërtojmë sistemin e vendit dhe nëse duam që i njëjti të na e kthejë, ishin një pjesë e porosive që kryeministri Hristijan Mickoski ua drejtoi të rinjve.

“Mesazhi im për të rinjtë që mendojnë se për disa muaj, në ndonjë destinacion turistik janë të mjaftueshme për të ëndërruar për të ardhmen e tyre – gabojnë! Në shtëpi duhet të ëndërrojmë dhe ta ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët në atdheun tonë të përbashkët. Sa më fort ëndërrojmë dhe sa më fort punojmë në shtëpi, aq sistem më të fortë do të kemi. Mos kontribuoni diku jashtë, në ekonomi të huaja. Në shtëpi ndërtohet ardhmëria e atdheut”, tha Micksoki.

Ministri i politikës sociale Fatmir Limani tha se bota po përballet me sfida serioze demografike dhe se duhet aksion i përbashkët për zgjidhje. Për këtë, Qeveria po përgatit strategji kombëtare për zhvillim dhe rezistencë demografike, me fokus te të rinjtë, mbështetja e familjeve, ndalimi i emigrimit dhe investimi në arsim, aftësi, inovacion dhe kapital njerëzor.
“Strategjia siguron një qasje multisektoriale ndaj së ardhmes demografike, me fokus në investimin në kapitalin njerëzor, fuqizimin e familjeve dhe të rinjve, përfshirjen sociale dhe politikat për migrim qarkullues, mobilitet dhe rolin e diasporës në ndërtimin e rezistencës afatgjate demografike”, deklaroi Limani.

Këto u thanë në Konferencën Rajonale Ministrore për trajtimin e ndryshimeve demografike dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë që organizohet nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve në partneritet me Fondin e Popullsisë të Kombeve të Bashkuara.