Një shtetas i tretë britanik dyshohet se është infektuar me hantavirus pas shpërthimit të sëmundjes në bordin e anijes turistike MV Hondius, kanë bërë të ditur autoritetet britanike.
Pacienti ndodhet aktualisht në ishullin e largët të Atlantikut, Tristan da Cunha, ku anija kishte ndaluar në mesin e prillit.
Dy britanikë të tjerë kanë rezultuar pozitivë me hantavirus. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje stabile në Holandë, pasi u evakuua nga anija të mërkurën, ndërsa tjetri vazhdon të trajtohet në terapi intensive në Afrikën e Jugut ku ishte dërguar muajin e kaluar, raporton BBC.
Deri më tani në këtë anije janë konfirmuar pesë raste me hantavirus. Autoritetet kanë bërë të ditur se edhe një nga tre personat që vdiqën gjatë udhëtimit ishte i infektuar me këtë virus.
Anija MV Hondius pritet të mbërrijë këtë fundjavë në Ishujt Kanarie ku autoritetet britanike kanë organizuar një avion për kthimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit britanik në Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithëse asnjë nga britanikët e mbetur në bord nuk po shfaq simptoma për momentin. Atyre do t’u kërkohet të vetëizolohen sapo të kthehen në shtëpi.
Britaniku Martin Anstee, 56 vjeç, ish-polic dhe udhërrëfyes ekspeditash në bord të anijes, u evakuua në Holandë të mërkurën së bashku me një anëtar holandez të ekuipazhit, 41 vjeç, dhe një shtetas gjerman 65-vjeçar.
Ai deklaroi për BBC se ndihej “mirë” dhe se gjendja e tij ishte stabile.
Një tjetër pasagjer britanik, 69 vjeç, me rast të konfirmuar të hantavirusit, ishte dërguar për trajtim në Afrikën e Jugut në fund të prillit. Sipas zyrtarëve, ai vazhdon të jetë në terapi intensive, por gjendja e tij po përmirësohet.
Dy shtetas të tjerë britanikë janë aktualisht në vetëizolim në Mbretërinë e Bashkuar pas ekspozimit të mundshëm ndaj virusit. Ata nuk kanë simptoma dhe po qëndrojnë të izoluar vullnetarisht.
Ata ishin pjesë e një grupi prej 30 personash nga 12 vende të ndryshme, përfshirë shtatë britanikë, që zbritën nga anija në St Helena më 24 prill, sipas operatorit Oceanwide Expeditions.
Kompania bëri të ditur se rasti i parë i konfirmuar me hantavirus në anije u raportua më 4 maj dhe se të gjithë pasagjerët që kishin zbritur nga anija janë kontaktuar.
Katër britanikë që zbritën në St Helena vazhdojnë të qëndrojnë atje. Ata nuk kanë simptoma, por janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shëndetësore. Raportohet se ekipe mjekësore do të dërgohen në ishull për të ofruar mbështetje.
