Menaxherë të dy kompanive dhe pesë të punësuar në Agjencinë për Menaxhim me Pasuri të Konfiskuar dyshohen për keqpërdorime gjatë një prokurimi publik, pasi Policia Financiare ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Shkup. Sipas kallëzimit, në vitin 2021 të dyshuarit në mënyrë të koordinuar e kanë prishur konkurrencën në procedurën për shitjen e automjeteve të dëmtuara si hekur i vjetër.
Një firmë është paraqitur si konkurrent formal dhe ka dorëzuar ofertë me gabim teknik të qëllimshëm, me çka janë eliminuar pjesëmarrësit e tjerë në ankand. Anëtarët e komisionit, në kundërshtim me ligjin, kanë ndihmuar në realizimin e skemës, duke mundësuar lidhjen e kontratës me firmë të menaxhuar nga njëri prej të dyshuarve. Me këtë, siç njoftoi Policia Financiare, është përfituar dobi pasurore kundërligjore prej mbi 2 milionë denarësh.
