Një mesazh kërcënues ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, është publikuar nga organizata serbe “Severna Brigada”, e cila nga institucionet e Kosovës konsiderohet organizatë terroriste.
Në deklaratën e shpërndarë nga grupi thuhet:
“Sa të lindë agimi mbi Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”.
Mesazhi është cilësuar si një përshkallëzim i retorikës kërcënuese ndaj institucioneve të Kosovës dhe vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme në veri të vendit.
“Severna Brigada” është përmendur edhe më herët në raste të incidenteve, barrikadave dhe kërcënimeve me prapavijë ekstremiste në veri të Kosovës. Deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga institucionet e sigurisë lidhur me këtë kërcënim.
Qeveria e Kosovës në qershor të vitit 2023 kishte shpallur organizata terroriste grupet “Severna Brigada” dhe “Civilna Zaštita” (“Mbrojtja Civile”), me arsyetimin se aktivitetet e tyre paraqesin rrezik serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.
Në atë kohë, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se këto struktura përbëjnë “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës”.

