Gazetar:Bashkim Sueljmani
“Amvisëri, dyqane, madje edhe objekte apo kompani multimilionëshe janë kapur ditë më parë me kyçje në të zezë në ujësjellës apo kyçje në të zezë edhe në kanalizim. Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” që merret me ujësjellësin dhe kanalizimet, paralajmëron dënime nga një deri në dhjetë mijë euro, si për amvisëritë edhe për kompanitë që kanë keqpërdorur këtë. Ndërkohë lufta e filluar ditë më parë, do të vazhdojë edhe ditëve në vijim për gjithë ata që kanë keqpërdorur ujin”
Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, shumica e kompanive por edhe dyqaneve, e që nga numri i përgjithshëm janë mbi 50 për qind që vjedhin ujin, kanë pasur edhe nga dy kyçje në sistemin e ujësjellësit.
“Kemi hasur shumë kyçje ilegale dhe parregullsi në rrjetin e ujësjellësit. Është një dukuri që e luftojmë gati një vit e gjysmë dhe kjo është e dhimbshme për gjithë qytetarët sepse uji që shpërndahet për gjithë qytetarët e Tetovës keqpërdoret apo vidhet nga kompani multimilionëshe, apo siç ju themi gjithnjë mafia urbane e Tetovës që me vite e kanë keqpërdor këtë situatë”, u shpreh Valon Zeqiri. Drejtor i NPK “Sharri”.
Zeqiri paralajmëron vendosje të ujëmatësve në gjitha objektet si amvisëritë po ashtu edhe nëpër kompani, si sistem i vetëm i mbrojtjes nga kyçjet ilegale. Ai paralajmëroi masa ndaj amvisërive dhe kompanive që janë kyçur ilegalisht në sistem.
“Do dënohen në bazë të rregullores, do i pajisim me ujëmatës dhe do iu ndërpritet uji atyre që nuk kanë paguar. Ne duhet të funksionojmë si ndërmarrje, dhe mënyra e vetme që ne të funksionojmë, është që gjithë qytetarët që shfrytëzojnë ujin ta paguajnë atë. Dënimi për amvisëritë është një mijë euro, ndërsa për bizneset nga 5 deri në dhjetë mijë euro do jetë dënimi”, deklaroi Valon Zeqiri. Drejtor i NPK “Sharri”.
Aksioni do vazhdoj edhe ditëve në vijim, ndërsa numri i atyre që do të duhet të regjistrohen në sistem, është mbi 50 për qind nga objektet që realisht ekzistojnë. / Alsat.mk
The post Mbi 50 për qind e amvisërive dhe kompanive të kyçura në ujësjellës në të zezë appeared first on Alsat.
