Shakira rikthehet sërish në skenën e Kupës së Botës. Artistja me famë botërore ka zbuluar se kënga “Dai Dai” do të jetë himni zyrtar i Botërorit 2026, i cili do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Lajmin e bëri të ditur vetë këngëtarja përmes një postimi në rrjetet sociale Instagram, ndërsa publikimi i plotë i këngës është paralajmëruar për më 14 maj.

Kjo do të jetë hera e tretë që Shakira interpreton këngën zyrtare të një Botërori, pas suksesit të madh me “Waka Waka” në Afrikën e Jugut më 2010 dhe “La La La” në Brazil më 2014. Në videon promovuese të publikuar nga artistja, e xhiruar në stadiumin “Maracana” në Rio de Zhaneiro, ajo shfaqet mes atmosferës festive dhe elementeve të futbollit, duke interpretuar fragmente nga “Dai Dai”.

Fansat kanë reaguar menjëherë në rrjetet sociale, duke e cilësuar projektin si një tjetër hit të mundshëm të Botërorit. FIFA pritet që me publikimin e këngës të nisë edhe zyrtarisht fushatën promovuese për turneun veror të vitit 2026.