Edhe pse sistemi shëndetësor në vend po digjitalizohet, librezat tradicionale ende nuk janë zhdukur plotësisht nga përdorimi. Librezat elektronike mbeten jashtë funksionit e siç tregon Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, procedura është në gjykatë me vite dhe ende nuk ka përfunduar.
“Pra librezat e shëndetësisë për fat të keq përdoren sepse me kartelat për fat të keq është abuzuar politikisht dhe procesi është ende në gjykatë, nuk ka mbaruar ende është në gjykatë”, tha Azir Aliu – ministër i Shëndetësisë.
Kryetarja e mjekëve amë vlerëson se librezat klasike gradualisht mund të hiqen nga përdorimi, por patjetër duhet të ekzistojë një sistem i sigurt ku ruhen të gjitha informacionet e rëndësishme për pacientin, si alergjitë, terapitë që përdor, sëmundjet kronike dhe historia mjekësore.
“Mendoj se librezat mund edhe të largohen më, mirëpo do të duhet të ketë një opsion ku të ketë informacione për çdo pacient rreth alergjive Unë kam qenë pjesë e projektit që bëhej para shumë vitesh, ishte ministër Bujar Osmani atëherë Ideja ishte e mirë, nuk do të ishte keq të përpilohej sërish një projekt i atillë”, u shpreh Lilija Çollakova Dervishova – kryetare e Lidhjes së Mjekëve Amë.
Ajo foli edhe për digjitalizim të plotë të shërbimeve tjera, si dhënia e recetave dhe udhëzimeve, për të cilat deri tani pacientët paraqiten fizikisht te mjeku amë.
“Mirë është të hiqet sa më parë, të mos shtypim udhëzime, të mos shtypim receta. Me shumë ministra, me shumë drejtorë të fondit kemi rënë dakord për këtë, por ja assesi ta finalizojmë që të mos shtypen. Nëse jeni për shembull në Ohër e nëse ju duhet udhëzim, pse të mos mundem unë që ta krijoj udhëzimin, në mënyrë elektronike t’ju shërbej. Qëllimi është në interes të pacientëve”, shtoi Lilija Çollakova Dervishova – kryetare e Lidhjes së Mjekëve Amë.
Përndryshe, dy muaj më parë ministri Azir Aliu paralajmëroi ndryshime dhe plotësime në Ligjin për evidencat në shëndetësi, të cilat synojnë përshpejtimin e digjitalizimit të sistemit shëndetësor dhe kalimin gradual drejt evidencave elektronike të pacientëve.
