Përfaqësuesi i Malit të Zi në peshkimin nën ujë, Dushan Vukçeviç, pas një beteje dramatike 18-minutëshe me një ton të rëndë 82 kilogramë, arriti ta nxjerrë peshkun gjigant, përcjell TV21. Tuna është kapur në det të hapur, pranë Barit, raportoi RTCG.
“Kjo është kapja e jetës, siç na pëlqen të themi ne peshkatarët. Bëhet fjalë për një peshk të madh dhe të rrezikshëm, pra është jashtëzakonisht i vështirë për t’u kapur sepse ka forcë të madhe. Këto janë krijesa që gjatë gjithë jetës së tyre vetëm notojnë dhe ushqehen, nuk pushojnë dhe kanë forcë jashtëzakonisht të madhe. Takimi me tonin gjigant ndodhi në një thellësi prej 12,5 metrash”, tha Vukçeviç.
“Nuk e prita gjatë. U shfaq, ndoshta pas një minute e gjysmë. Peshqit e vegjël u shpërndanë papritur, gjë që menjëherë më bëri të qartë se po vinte një grabitqar i madh. Qëllova dhe e godita në pendën anësore të djathtë. Edhe pse ishte një goditje e mirë, nuk arrita ta neutralizoj plotësisht që të ndalonte së notuari”, shpjegoi Vukçeviç.
Peshkatari nën ujë nga Mali i Zi shtoi se në atë moment filloi beteja e vërtetë me peshkun e fuqishëm, i cili e tërhiqte përgjatë sipërfaqes së detit për plot 18 minuta, ndërsa ai njëkohësisht përpiqej të mos tërhiqej në thellësitë e detit. Vukçeviç theksoi se tuna në fund u mposht falë mikut të tij Boban Radosheviç, i cili e ndiqte me varkë dhe arriti edhe një herë ta godiste saktë peshkun gjigant dhe ta përfundonte betejën.
