Rezultatet e gjetjeve të komisionit vendor dhe atij ndërkombëtar, të cilat sipas ministrit Azir Aliu në masë të madhe përputhen, janë arsye për nisjen e vendosjes së masave që duhet ta forcojnë sistemin e kontrollit të ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiokirurgjike.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot në një konferencë për media i publikoi gjetjet e komisionit të huaj të angazhuar për të dhënë opinion lidhur me pretendimet për ndërhyrje të panevojshme kardiologjike dhe kardiokirurgjike të kryera në klinika në vend. Rasti u inicua pas deklaratës së kardiokirurgut Zhan Mitrev vitin e kaluar.
Nga gjithsej 13 raste të analizuara, komisioni ndërkombëtar i përbërë nga tre ekspertë ka konstatuar gjetje të dyshimta gjatë vlerësimit diagnostikues në nëntë raste, ndërsa në katër raste trajtimi mjekësor ka qenë në përputhje me standardet e praktikës klinike.
Pacientët e përfshirë në analizë ishin të moshës 45 deri në 78 vjeç, ndërsa rastet e shqyrtuara lidhen me ndërhyrje dhe procedura të kryera në institucione shëndetësore publike dhe private, përfshirë Klinikën Universitare të Kardiologjisë, Klinikën Universitare të Kardiokirurgjisë, Spitalin Klinik të Shtipit, SPQ “8 Shtatori”, institucionin privat “Kardioart – Shtip”, Spitalin Klinik “Zhan Mitrev” dhe Spitalin Klinik “Acibadem Sistina”.
Çfarë konstatoi komisioni ndërkombëtar
“Nga 13 rastet e analizuara që lidhen me dyshime për operacione të panevojshme ose dërgim të panevojshëm për operim, komisioni ndërkombëtar konstatoi se te katër pacientë trajtimi i ofruar ka qenë në tërësi mjekësisht i përshtatshëm, në kohë dhe në përputhje me standardet e pranuara të praktikës klinike. Ndërsa te nëntë pacientët e tjerë dokumentacioni tregon gjetje të dyshimta gjatë evaluimit diagnostikues, si mospërputhje ndërmjet gjetjeve angiografike nga koronarografia dhe raportit me shkrim, pas së cilës ka pasuar indikacion i papërshtatshëm për procedura endovaskulare ose kirurgjikale”, deklaroi Aliu.
Sipas tij, komisioni vlerësoi se “disa aspekte të trajtimit dhe menaxhimit të pacientëve kanë qenë nën standardet e pritshme profesionale dhe mund të kenë ndikuar negativisht në rezultatin klinik”.
Komisioni ndërkombëtar përbëhej nga kardiokirurgu italian Ugolino Livi, kirurgu kardiovaskular slloven Nikola Lakiq dhe kardiologu interventiv Cerçer Mika.
Aliu tha se gjetjet janë serioze dhe nuk duhet të relativizohen, por njëkohësisht nuk duhet të përdoren për të stigmatizuar gjithë profesionin mjekësor apo institucionet shëndetësore në vend, pasi shumica e mjekëve punojnë me ndershmëri dhe profesionalizëm.
Raportet e komisionit vendor dhe atij ndërkombëtar do t’i dorëzohen Qeverisë, Prokurorisë Publike, Odës së Mjekëve, Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Masa të reja
Aliu njoftoi se Ministria do të nisë procesin e rishikimit të protokolleve për trajtimin e ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiokirurgjike, me qëllim përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe mbrojtjes së pacientëve.
“Do të formojmë një ‘heart-team’ kombëtar me nëntë anëtarë – kardiologë dhe kardiokirurgë nga sektori publik dhe privat. Gjashtë anëtarë do të jenë nga institucionet publike dhe tre nga sektori privat. Ky ekip do të mblidhet rregullisht për të shqyrtuar raste komplekse dhe kufitare, kur nevojitet vlerësim shtesë profesional”, tha ministri.
Po ashtu do të krijohet një listë kombëtare e operacioneve kardiokirurgjike, e cila do të ofrojë pasqyrë më të qartë për ndërhyrjet elektive, arsyetimin mjekësor të tyre, renditjen e referimeve dhe institucionet ku do të kryhen.
Masat nuk do të vlejnë për rastet urgjente, të cilat do të vazhdojnë të trajtohen me prioritet dhe pa vonesa administrative.
Aliu paralajmëroi gjithashtu akreditim të detyrueshëm dhe standarde të qarta për të gjitha institucionet që kryejnë ndërhyrje të tilla.
“Kjo do të thotë se çdo institucion, publik apo privat, do të duhet të dëshmojë se disponon staf të kualifikuar, pajisje adekuate, procedura, protokolle dhe mekanizma për monitorimin e cilësisë dhe sigurisë së pacientëve”, deklaroi ai.
Drejtori i Institutit për Mjekësi Ligjore, Kriminalistikë dhe Deontologji Mjekësore, Aleksandar Stankov, tha se komisioni i brendshëm nuk e ka përfunduar punën dhe se në periudhën e ardhshme do të kryejë kontrolle të rastësishme të dokumentacionit mjekësor në të gjitha spitalet që merren me kardiologji dhe kardiokirurgji.
Raporti nuk do të publikohet
Në pyetjet e gazetarëve, Aliu deklaroi se raporti nuk mund të publikohet për shkak të ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve dhe për shkak se dokumenti do të përdoret në procedura të mëtejshme juridike.
I pyetur nëse nëntë pacientët janë gjallë dhe nëse autoritetet kanë kontakt me ta, ministri tha se të gjithë janë gjallë dhe se raportet do t’u dorëzohen nëse i kërkojnë.
Në një pyetje tjetër nëse mund të thuhet qartë se këta nëntë pacientë janë operuar pa nevojë, Aliu u përgjigj:
“Sipas komisionit profesional, po. Raporti thotë se nga 13 rastet e përcaktuara nga komisioni ynë kombëtar dhe të analizuara nga komisioni i jashtëm, nëntë konsiderohen problematike”.
Ai shtoi se parregullsi janë konstatuar në të tria institucionet – një publik dhe dy private.
Sa i përket publikimit të emrave të mjekëve dhe spitaleve, Aliu tha se në këtë fazë nuk mund të bëjë “sensacion me emra”, sepse do të shkelte ligje të tjera.
Nga ana tjetër, Stankov sqaroi se Ministria e Shëndetësisë nuk mund të bëjë kualifikim penal, pasi kjo është kompetencë e Prokurorisë dhe gjykatave.
“Raporti është dëshmi materiale që mund të përdoret në ekspertiza të mëtejshme nëse Prokuroria vendos të hapë procedurë”, tha ai, duke shtuar se Prokuroria mund të nisë hetim edhe pa kallëzim penal formal.
