Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një 33-vjeçari, i cili dyshohet bazueshëm për veprën penale të vrasjes gjatë kryerjes së dhunës në familje.
Sipas informacioneve zyrtare nga organi i akuzës, ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen “Bair” të Manastirit, ku viktimë ka mbetur ish-partnerja e tij jashtëmartesore, 31-vjeçarja me iniciale A.V., me të cilën i dyshuari kishte katër fëmijë të mitur.
Nga Prokuroria bëjnë të ditur se i dyshuari, pasi është siguruar që babai i viktimës nuk ndodhej në shtëpi, ka hyrë me forcë në banesën ku ajo po qëndronte dhe e ka sulmuar me thikë derisa ajo ishte duke fjetur. Si pasojë e plagëve të shumta të marra në pjesë të ndryshme të trupit, gruaja ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Menjëherë pas krimit, prokurori kujdestar ka kryer inspektimin në terren ku janë grumbulluar gjurmë dhe dëshmi materiale të cilat do t’u nënshtrohen ekspertizave të mëtutjeshme, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion. Duke marrë parasysh rrezikun e arratisjes, prokurori kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore në Manastir propozimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar rastin, duke saktësuar se bëhet fjalë për një çift që nuk jetonin më bashkë, ndërsa autori i krimit tashmë ndodhet në duart e drejtësisë.
