Pas trajtimit të marrë në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, është kthyer në shtëpi.
Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës konfirmoi përmes zyrës për media se gjendja e tij është stabilizuar dhe ai është liruar për trajtim të mëtejmë në shtëpi.
Mehani ishte dërguar për ndihmë mjekësore të enjten, pasi u sulmua fizikisht në qendër të Skenderajt gjatë mesditës, duke pësuar lëndime.
Ndërkohë, Prokuroria e Mitrovicës bëri të ditur se dy persona janë ndaluar për 48 orë lidhur me rastin. Sipas autoriteteve, të dyshuarit me inicialet E.L. dhe B.N. po hetohen për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se janë intervistuar viktimat H.M. dhe B.Z., pesë dëshmitarë, si dhe dy të dyshuarit, ndaj të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
