Gazetar: Avni Tahiri

Inspektorati Shtetëror i Tregut nga 10 deri më 20 maj do të zhvillojë kontrolle në të gjitha zinxhirët e marketeve. Nëse konstatohet se ka rritje të marzhave dhe fryrje të çmimeve do të ndërmerren masa përkatëse, njoftoi sot ministri i Ekonomisë Besar Durmishi. Sipas Durmishit, 30 ekipe inspektuese janë në terren dhe sipas tij, nga informacionet e katër ditëve të para të kontrolleve, është vërejtur një ulje e caktuar e çmimeve të frutave dhe perimeve.

“Ajo që ne e bëjmë është që në këtë kohë krize të kontrollojmë se nëse tregtarët, prodhuesit apo distributorët do e rrisin marzhën e fitimit. Në periudhën e kaluar kemi hasur gjatë kontrolleve edhe rritje të marzhës, sidomos në kohë festash e kanë rritur marzhën e fitimit.” tha Besar Durmishi, Ministri i Ekonomisë.

Sipas Durmishit, muajin e kaluar pati rritje të çmimeve të produkteve ushqimore, por edhe ulje të marzhës nga ana e tregtarëve me rreth një për qind ndërsa shtoi se Ministria po e ndjek vazhdimisht situatën dhe do të vazhdojë me zbatimin e masave për stabilizimin e çmimeve dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve.

”Vendi jonë importon 70% produkte ushqimore dhe nëse ne jemi të varur nga vendet tjera normalisht që çmimin e caktojnë ata. Tregtarët tanë që e marrin produktin me atë çmim të caktuar e vendosin marzhën e fitimit, duke i llogaritur edhe shpenzimet e tjera dhe në fund të del çmimi përfundimtar i produktit”.tha Besar Durmishi, Ministri i Ekonomisë.

Sa i përket rritjes së inflacionit në 5,7%, Durmishi tha se kjo ndodh për shkak të krizës globale. Ai theksoi se Qeveria reagon me masa përkatëse. Në këtë kuadër, përmendi edhe një masë të re për bashkëfinancimin e zejtarëve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe prodhimit./Alsat.mk.

The post Kontrolle të shtuara në treg: Marketet nën monitorim për rritje të çmimeve dhe marzheve të fitimit appeared first on Alsat.