Moto-happeningu më i madh humanitar global, “The Distinguished Gentleman’s Ride”, këtë vit shënon edicionin e tij të 11-të në Shkup, si pjesë e lëvizjes botërore që bashkon adhuruesit e motoçikletave klasike dhe stilit elegant me qëllim ngritjen e vetëdijes për shëndetin e meshkujve.

Siç informojnë organizatorët, sot pritet që në rrugët e kryeqytetit të defilojnë më shumë se 220 motoçiklistë të “rregulluar” me motoçikletat e tyre klasike, gjë që i jep ngjarjes një hijeshi të veçantë dhe atraktivitet vizual.

Ngjarja, të cilën Shkupi e organizon që nga viti 2016, është pjesë e një iniciative globale që deri më tani ka mbledhur më shumë se 60.5 milionë dollarë për luftën kundër kancerit të prostatës dhe ngritjen e vetëdijes për shëndetin mendor të meshkujve. Në këtë lëvizje kanë marrë pjesë mbi 340.000 njerëz në më shumë se 121 shtete dhe 1.070 qytete në mbarë botën. Edicioni i Shkupit deri tani ka kontribuar me mbi 24.000 dollarë.

Motoçikletat shkëlqyese dhe pamja elegante e pjesëmarrësve mbeten shenjë dalluese edhe këtë vit, duke promovuar qëllimet kryesore të ngjarjes – ngritjen e vetëdijes te popullata mashkullore dhe mbledhjen e fondeve për përballimin e sfidave serioze shëndetësore dhe shoqërore.

Nga “Gentleman’s Crew Skopje”, organizatori i ngjarjes, shprehën mirënjohje për pjesëmarrësit, partnerët dhe miqtë, të cilët, siç theksojnë ata, kontribuojnë që “The Distinguished Gentleman’s Ride – Skopje” çdo vit të tejkalojë rezultatet e mëparshme.

The post Shkupi për herë të 11-të nikoqir i ngjarjes globale humanitare të motoçiklistëve “The Distinguished Gentleman’s Ride” appeared first on Alsat.