Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Shkup, në zonën e njohur si “Stara Rampa”, në një rrugë ku aktualisht po zhvillohen punime dhe është vendosur regjim i ndryshuar i qarkullimit.
Sipas informacioneve të para nga vendi i ngjarjes, aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:30 dhe në të janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë. Përplasja ka ndodhur në kushte të organizimit të ndryshuar të trafikut për shkak të aktiviteteve ndërtimore në rrugë.
Burime nga terreni bëjnë të ditur se segmenti ku ka ndodhur aksidenti është i ndriçuar dobët, ndërsa mungesa e sinjalistikës së qartë dhe e shenjave orientuese ka vështirësuar qarkullimin. Po ashtu, thuhet se nuk ka pasur sinjalizim të mjaftueshëm për semaforët dhe përparësinë e kalimit për pjesëmarrësit në komunikacion.
Deri në këto momente nuk ka informacione zyrtare nëse ka persona të lënduar apo për dëmet materiale të shkaktuara. Autoritetet pritet të dalin me më shumë detaje pas përfundimit të ekspertizës në vendin e ngjarjes.
