Albin Kurti, i cili për vite me radhë nuk linte protestë pa e mbështetur publikisht dhe pa u rreshtuar në anën e kauzave kombëtare, sot po hesht përballë reagimeve dhe pakënaqësive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut lidhur me gjuhën shqipe. Në kohën kur studentët shqiptarë po ngrihen për të kërkuar respektimin e një të drejte kushtetuese dhe elementare, mungesa e reagimit nga kryeministri i Kosovës dhe nga Lëvizja Vetëvendosje po komentohet gjerësisht në opinion. A ndihet fajtor për gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni?
Ndërkohë, mbështetja për studentët shqiptarë ka ardhur nga shumë figura politike, publike dhe kombëtare në hapësirën shqiptare.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, reagoi ashpër duke theksuar se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut “nuk është opsionale”, por gjuhë autoktone dhe e garantuar me Kushtetutë. Ai deklaroi se studentët shqiptarë nuk po kërkojnë privilegje, por dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre kombëtar.
“Me zemër, me shpirt dhe me krenari jam me ju nesër, studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Zëri juaj është zëri i çdo shqiptari që nuk pranon të heshtë përballë padrejtësisë”, shkroi Haradinaj.
Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, doli hapur në mbështetje të protestës së paralajmëruar më 18 maj para Urës së Gurit në Shkup. Ai theksoi se gjuha shqipe është e drejtë kushtetuese dhe themelore e çdo shqiptari në Maqedoninë e Veriut dhe se mbrojtja e saj është kauzë kombëtare dhe demokratike.
“Heshtja përballë diskriminimit është bashkëfajësi”, deklaroi Rama, duke bërë thirrje për unitet të shqiptarëve pa dallim partie apo ideologjie.
Mbështetje publike për studentët shqiptarë kanë dhënë gjithashtu këngëtarja Bebe Rexha, gazetari Marin Mema, ish-kryeministri Pandeli Majko dhe ish-kapiteni i kombëtares shqiptare Lorik Cana.
Në anën tjetër, mungesa e një reagimi nga Albin Kurti dhe zyrtarët e Vetëvendosjes po shihet nga shumë qytetarë si një heshtje e pakuptueshme në një moment kur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë vetëm respektimin e të drejtave të tyre elementare.
