Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se policia nga Departamenti Policor i Gallatës ka arrestuar një 52-vjeçar me inicialet V.A. nga fshati Negotinë i Gostivarit, i cili kërkohej me urdhër gjykate për vuajtje të dënimit me burg.

Arrestimi është kryer më 18 maj, rreth orës 21:10, në fshatin Negotinë. Sipas policisë, personi kërkohej me urdhër të Gjykatës Themelore të Gostivarit për vuajtjen e një dënimi me burg në kohëzgjatje prej një viti e gjashtë muajsh.

Autoritetet bëjnë të ditur se ai ishte dënuar për veprën penale “prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, vepër e paraparë në nenin 215 të Kodit Penal.

Pas arrestimit, i dënuari është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Idrizovës për vuajtjen e dënimit.