Gazetare: Fatlume Dervishi
Reforma dhe ndryshime kushtetuese tani, kërkon urgjentisht LSDM-ja, si mënyrë për të kapur trenin e fundit, sipas tyre, për anëtarësim në Bashkimin Evropian. LSDM-ja fton kryeministrin që së bashku të votojnë ndryshimet kushtetuese.
“Nëse nuk hipim në këtë tren evropian tani, dyert mund të mbyllen për dekada. Nëse mbetemi jashtë procesit, nuk do të jemi pjesë e kornizave të reja buxhetore evropiane, nuk do të kemi qasje në fondet e zhvillimit dhe do të vazhdojmë të zhytemi në varfëri dhe pasiguri. Të bllokuar në korrupsion dhe krim, me institucione partiake, një sistem që nuk funksionon. Rinia do të paguajë çmimin më të madh. Rinia do të vazhdojë të largohet nga vendi, dhe Maqedonia do të mbetet e bllokuar në izolim, pa perspektivë dhe pa zhvillim me pagat më të ulëta dhe standardin më të ulët të jetesës në Evropë” tha Bogdanka Kuzeska, nga LSDM-ja.
VMRO-DPMNE-ja thonë se LSDM-ja dhe Filipçe gënjejnë kur thonë se qeveria nuk punon për të ecur në rrugën drejt BE-së. Sipas tyre, Maqedonia është lidere në Axhendën e Reformave dhe vendi po merr mbështetjen më të madhe nga i gjithë rajoni.
“Nëse gjithçka shkon sipas planit dhe Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Kryeministri Mickoski punon shumë që kjo të ndodhë, Maqedonia do ta dyfishojë shumën në qershor dhe ne do të jemi përsëri të parët në përmbushjen e Axhendës së Reformave. Çdo tezë e paraqitur nga Filipçe shembet si një shtëpi prej letrash. Çdo gënjeshtër e Filipçes shpërthen si një flluskë sapuni”
Pas zgjatjes së dorës nga LSDM-ja, për votimin e ndryshimeve kushtetuese, pati zëra që atë e interpretuan si mundësi për një koalicion të zgjeruar. Megjithatë Filipçe hodhi shpejt poshtë informacionet duke thënë se nuk hyn në koalicion tenderësh me Mickoskin dhe nuk negocion për kolltukë dhe pozita.
“Çfarë lloj qeverie e zgjeruar? Kush foli për qeveri dhe koalicion? E thashë qartë – mbështetje për integrimin evropian dhe reformat. Të hymë në koalicion tenderësh me Mickoskin? Nga i erdhi në mendje dikujt kjo ide? Ne nuk po negociojmë për kolltukë dhe pozita. Po flasim për të ardhmen e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Reforma tani. Pakicat në Kushtetutë tani. Evropë tani”, shkroi në rrjetin social X, Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së. /Alsat.mk
The post Integrimi / Filipçe: Bashkëpunim për ndryshimet kushtetuese, jo qeveri të zgjeruar appeared first on Alsat.
