Për herë të parë pas hapjes, Kopshti zoologjik është i mbyllur ndërsa 4 të punësuar do të jenë nën mbikëqyrje shëndetësore pasi u konfirmua gripi i shpendëve.

“Mbikëqyrja shëndetësore sipas protokolleve nuk nënkupton karantin ose izolim, por nënkupton se gjatë dy javëve të ardhshme, këtyre 4 personave do t’u ndiqet gjendja shëndetësore, nëse do të paraqitet ndonjë simptomë e cila do të duhet të ekzaminohet për të parë nëse bëhet fjalë për gripin e shpendëve”, tha Marija Andonovska. drejtoreshë e ISHP.

Gjatë ditës pritet të gjendet edhe një person ndaj të cilit duhet të zbatohet anketa epidemiologjike.

“Një nga këta persona, më 18-shin kishte simptoma që zgjatën një ditë, temperaturë dhe diarre, vetëm një ditë, kjo nuk do të thotë se ky person ka grip të shpendëve. Ne do ta testojmë atë person, por rekomandimet e epidemiologëve dhe mikrobiologëve pas paraqitjes së simptomave, është që në afat prej 5 ditëve ky person të testohet”, shtoi Marija Andonovska. drejtoreshë e ISHP.

Nga Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë thonë se edhe pse kopshti zoologjik kishte detektuar një kafshë të ngordhur, nuk ka vepruar sipas procedurave ligjore.

“Edhe krahas informacionit të këtillë, Kopshti zoologjik nuk i ka respektuar procedurat ligjore dhe nuk e ka njoftuar AUV-në në mënyrën e paraparë ligjore, me fjalë të tjera e ka shkelur nenin 4…çdo prani ose dyshim për influencë aviare që denoncohet menjëherë, sa më shpejt që është e mundur”, thonë nga AUV.

Nga agjencia shtojnë se kanë kërkuar ndihmë nga policia sepse një i punësuar e ka penguar punën e tyre.

“Fatkeqësisht kërkuam asistencë për shkak të pranisë së një personi që është prezantuar si i punësuar në administratën e qytetit dhe i njëjti person e pengoi punën e shërbimeve inspektuese, gjë për të cilën MPB ka procesverbal”, shtojnë nga AUV.

Dje Kopshti zoologjik përmes kumtesës njoftoi për këtë aksion, të cilin e quajti politikë të sekteve të Qeverisë së Hristijan Mickoskit.

“Qëllimi i kësaj politike të sekteve është që të shkaktohet një problem i shpifur, të sigurohet alibi për mbylljen e kopshtit zoologjik Shkup me qëllim prishje të reputacionit. Për këtë vepër Kopshti zoologjik Shkup do të dorëzojë kallëzime penale kundër drejtorit të AUV-së dhe inspektorëve dhe personave të cilët me armë hynë në Kopshtin zoologjik në Shkup”, thonë nga Kopshti Zoologjik në Shkup.

Reaguan nga shoqata për mbrojtjen e kafshëve, Anima Mundi prej ku thonë se gripi i shpendëve nuk parandalohet me thyerjen të qafës, duke i hedhur të gjalla në shportë dhe duke i qëlluar me pushkë.