Një zyrtar i lartë iranian zbuloi se Teherani ka importuar teknologji të avancuar kineze, në përpjekje për të kufizuar përgjithmonë qasjen në internetin global.
Ky informacion vjen në kohën e një ndërprerjeje të madhe të internetit në Iran, ku autoritetet kanë bllokuar rrjetin që pas fillimit të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, më 28 shkurt.
Mohammad Sarafraz, anëtar i Këshillit Suprem të Hapësirës Kibernetike të Iranit dhe ish-udhëheqës i transmetuesit shtetëror IRIB, i tha gazetës online Faraz më 23 maj se pajisjet kineze tashmë ndodhen në vend.
Sipas tij, qëllimi i kësaj teknologjie është të krijojë bazën për kufizimin e përhershëm të internetit, duke lejuar vetëm qasje të kontrolluar rreptësisht për përdoruesit e përzgjedhur në vendin me rreth 90 milionë banorë.
Tani në muajin e tretë, ndërprerja e internetit në mbarë Iranin është më e gjata që nga ndërprerja gati gjashtëmujore në Libi, gjatë protestave të Pranverës Arabe në vitin 2011.
Por, duke qenë se popullsia e Iranit është rreth 15 herë më e madhe se ajo e Libisë, kjo bllokadë konsiderohet nga ekspertët si ndërprerja më e madhe ndonjëherë e komunikimeve e urdhëruar nga një qeveri.
Organizata monitoruese e internetit NetBlocks e ka përshkruar ndërprerjen në Iran si “të pakrahasueshme në shkallë dhe ashpërsi në një shoqëri të lidhur me rrjet”.
Autoritetet janë përpjekur ta justifikojnë bllokadën, duke thënë se ajo parandalon sulmet e huaja kibernetike, mbron zyrtarët nga atentatet gjatë kohës së luftës dhe ruan moralin publik.
Por, Sarafraz i hodhi poshtë këto justifikime të Qeverisë iraniane.
Ai argumentoi se disa nga sulmet më të rënda kibernetike ndaj vendit kanë ndodhur pikërisht gjatë periudhave kur interneti ka qenë i bllokuar.
Po ashtu, sipas tij, interneti nuk ka arritur të parandalojë vrasjen e dhjetëra zyrtarëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli gjatë konfliktit aktual.
Sarafraz, gjithashtu, kundërshtoi idenë se mbyllja e internetit mbron moralin publik.
Sipas tij, izolimi i zgjatur digjital – i shoqëruar me politika të pabarabarta qasjeje, si “internet i bardhë” për njerëzit e lidhur me regjimin dhe shërbimet komerciale “Internet Pro” për përdoruesit më të pasur – ka shkaktuar më shumë dëme psikologjike tek iranianët sesa ndikimi i mundshëm negativ i përmbajtjeve të huaja online.
A mund të funksionojë modeli kinez në Iran?
Zëvendësministri iranian i Komunikimeve, Ehsan Chitsaz, tha gjatë një konference për shtyp më 9 maj se kopjimi plotësisht i modelit të internetit të Kinës nuk është “në asnjë mënyrë i realizueshëm” për Iranin.
Ai tha se sistemi i Kinës mbështetet në një popullsi prej mbi 1 miliard banorësh dhe në një treg të madh të brendshëm digjital, të cilin Irani nuk mund ta riprodhojë.
Chitsaz paralajmëroi, gjithashtu, se vetë ndërprerjet e zgjatura të internetit përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.
Amir Rashidi, drejtor për sigurinë e internetit dhe të drejtat digjitale në Miaan Group, një organizatë amerikane për siguri digjitale e fokusuar në Iran, tha se sistemi i Teheranit është shumë më i thjeshtë krahasuar me atë të Kinës.
Në vend që të ndërtojë një sistem të madh me kosto të lartë financiare dhe teknologjike gjatë dekadave, ai tha se Irani ka shtuar kufizime mbi infrastrukturën ekzistuese të internetit.
Sipas Rashidit, kjo e bën më të lirë dhe më të lehtë për qeveritë e tjera autoritare që ta kopjojnë modelin iranian.
“Ata mund ta marrin dhe ta zbatojnë sistemin iranian të bllokadës dhe censurës” pa pasur nevojë t’i rindërtojnë rrjetet e tyre nga fillimi, tha Rashidi për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë.
Studiuesi i rrjeteve, Aryan Eqbal, tha se ata që janë në favor të kontrollit të internetit në Iran, supozojnë gabimisht se rritja ekonomike e Kinës e justifikon modelin e kufizimeve digjitale.
“Kina nuk u zhvillua për shkak të internetit të mbyllur”, i tha Eqbal faqes iraniane të teknologjisë Zoomit.
“Ka pasur arsye të tjera, dhe mbyllja, në fakt, ka pasur efekt negativ në progresin e saj”, tha ai.
Sipas Eqbalit, mbështetësit iranianë të kontrollit më të fortë përpiqen të kopjojnë vetëm pjesën represive të sistemit kinez, por pa bazat ekonomike që i mundësojnë Pekinit t’i përballojë kostot.
Në kushtet e sanksioneve ndërkombëtare dhe të një ekonomie të dobësuar nga keqmenaxhimi prej dekadash, ekonomia e Iranit nuk është në nivel për ta bërë një model të tillë të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme, tha ai.
Ndikimi ekonomik i ndërprerjes së internetit në Iran ka qenë i konsiderueshëm.
Afshin Kolahi, zyrtar i Dhomës së Tregtisë së Iranit, tha gjatë një seance më 12 prill se bllokimi i internetit po i kushtonte vendit deri në 40 milionë dollarë në ditë.
Humbjet indirekte, sipas tij, arrinin deri në 80 milionë dollarë në ditë në mes të prillit./REL
